El Revolucion

sh-arsim-sinani

Arsim SINANI

Partia revolucionare maqedonase VMRO DPMNE po realizon platformën e saj, ka nga të tillë që mendojnë se tash Gruevski dhe ata që e mbështesin do kalojnë në terrenin shqiptar që të realizojnë atë që nuk është në gjendje Ali Ahmeti. Kjo tezë qëndron pasi kohët e fundit kryeministri maqedonas më shumë shihet në Tetovë dhe në disa fshatra si Poroji, Shipkovica, Reçica…

MKD po hyn në fazën më interesantë të djalërisë së vetë post-jugosllave me shtatin 23 vjeç po hapëron drejtë një krize të rinisë së saj, lidershipi maqedonas i dashuruar skajshmërish në antikë dhe në elegancë, lidershipi shqiptar i dashuruar skajshmërish në para dhe pushtet pafund, pa ide, pa vizion, i frustruar dhe i rruar nga politikanët maqedonas. Kështu do e shihte një miku im intelektual që jeton në Belgjikë, profesor në një nga universitet më prestigjioze në botë, Ai, profesori mendon se Maqedonia me të drejtë po kalon nga faza e adoleshencës politike në fazën e krijimit të identitetit të vetë, pa çka se është një lloj kiçi, me rëndësi po fiton një fizionomi, po imiton diçka që dëshiron të duket. Kjo në fakt është fotografia e Maqedonisë, një vend i vogël me shumë halle, me pak perspektivë dhe me kuaj të azdisur që hungërinë gjithandej Shkupit të sotëm.

Një psikolog më ka thënë dikur se ka një kategori e njerëzve të cilët mundohen ëndrrat e tyre t’i bëjnë realitet pavarësisht se janë fiksione nate të cilat vështirë realizohen, në rastin e Maqedonisë kjo tezë nuk qëndron. Natën mund të shihni një ëndërr dhe nesër ta vendosni në jetë, me rëndësi është të keni pushtet tjerat bëhet lehtë pasi që demokracia në këtë vend është diçka që e kanë në dorë disa njerëz. Kjo tufë e njerëzve të cilët manipulojnë gjithçka kanë një mision, ta ndryshojnë këtë vend, mos ta lënë të zhvillohet por t’ia tredhin trurin qytetarit dhe vetë të lozin me fatet e njerëzve.

Partia revolucionare maqedonase VMRO DPMNE po realizon platformën e saj, ka nga të tillë që mendojnë se tash Gruevski dhe ata që e mbështesin do kalojnë në terrenin shqiptar që të realizojnë atë që nuk është në gjendje Ali Ahmeti. Kjo tezë qëndron pasi kohët e fundit kryeministri maqedonas më shumë shihet në Tetovë dhe në disa fshatra si Poroji, Shipkovica, Reçica… një lloj nevoje për ta pastruar shpirtin nga mëkatet që i ka bërë që nga viti 2006 e këtej. Por mëkatet nuk lahen lehtë pasi që shqiptarët i ka kapluar skamja, balta, pluhuri, etja dhe sytë e tyre duan begati, gjë që ua premton kryeministri në ikje. Në fakt guximi i kryeministrit Nikolla Gruevski është i madh por ky guxim është i vonshëm, ka pasur kohë ta demonstrojë dashamirësinë e tij moti, gjë që se ka bërë.

Partia revolucionare shqiptare BDI po premton se do të realizojë një sërë projektesh, por përveç djerrinave shqiptarët, nuk po shohin asgjë. Me theks të veçantë pas vërshimeve në Tetovë kjo parti u pa e dobët në terren dhe pa ide për të bërë diçka më shumë sesa një foto më shumë të muret e veta në facebook. Ali Ahmeti premtoi shumë dhe erdhi me një platformë që ia kishin dhënë të gatshme djemtë e rinj që iu kundërvunë ideologjisë shoviniste maqedonase që i shtynte dhe injoronte. Por ai, e humbi diku rrugës fletoren e idealeve të rinisë shqiptare, të atyre që kaluan në përjetësi për një ideal. Në fakt rrugës BDI-së i ra komplet kauza dhe kohët e fundit vepron në panik, pa vizion. Thjeshtë dëshirojnë të driblojnë me shqiptarët pa qenë në gjendje t’u ofrojnë më shumë se kaos dhe një jetë të vështirë e pështirë.

Problemi në Maqedoni nuk është se opozita maqedonase e kryesuar nga LSDM dhe Zaev është e dobët, por se shqiptarët janë ata që e frenuan ardhjen e tyre në pushtet me besnikërinë që e treguan ndaj pushtetit.

Në fakt kohët e fundit po bëhet përpjekje që të demonizohen partitë e reja shqiptare, të cilat me të drejtë e artikulojnë pakënaqësinë e shqiptarëve të Maqedonisë. Guximi i tyre është i madh derisa edhe filluan që ta sfidojnë partinë shqiptare në pushtet duke u vënë që të realizojnë projekte për të cilat besën ua ka dhënë se do i realizojë vete BDI-ja. Në të vërtetë opozita shqiptare në Maqedoni, po edhe shoqëria civile dhe intelektualët nuk po e kuptojnë një gjë se pa një revolucion demokratik që e kam quajtur El Revolucion dhe bashkim rreth një platformë vështirë se do sfidohen dy partitë shqiptare në pushtet.

El Revolucioni do duhej të ishte një lloj strehe për të gjithë që ta mundim të keqen që na ka pllakosur dhe t’i çojmë në harresë këta që sot bëjnë shaka me fatin tonë, por kjo do guxim. Nuk ka ndodhur asnjëherë në botë që pa një ide dikush të vijë dhe të ulët në fron dhe të merr drejtimin e pushtetit.

Maqedonisë realisht i duhet me urgjencë një gjeneratë e njerëzve si te shqiptarët ashtu edhe të maqedonasit që do merren vesh për ndarje pushteti mes vetes dhe për një rrugë që sot duket e largët, e ajo është Europa.

El Revolucion është modeli që dy partitë shqiptare do t’i çonte në opozitë dhe do vinte në shprehje një frymë e re me vizion prandaj na duhet El Revolucion.

Shekulli Agency