E pluhurosëm rolin e pazëvendësueshëm të institucionit të xhamisë

Iljasa-salihu

Nga: Iljasa SALIHU

Qëllimisht është anashkaluar roli i pazëvendësueshëm i xhamive në trojet tona, po ashtu edhe në vendet tjera, të cilat i ndërtojnë dhe i mirëmbajnë shqiptarët e fesë islame. Duan të na paraqesin me identitet të shtrembëruar, kurse vendosja e kontributit të xhamive në panoramën tonë të madhe, dashakeqëve mund t’ia prish qëllimet e tyre të zeza. Megjithatë, përpos përpjekjes për t’i harruar sa më shpejtë të mirat që rrodhën prej xhamive, kjo shpurë harroi se faktet janë shumë kokëforte, të cilat si të tilla mund t’i pluhurosësh, por assesi t’i zhbësh prore.

Përpos se xhamitë janë vende ku me përkushtim të lartë adhurohet Zoti, ligjërohet për të mirën kundër së keqes, aty bëhen edhe veprime tjera që kanë të bëjnë me përditshmëritë tona, të cilat i përkasin natyrave të ndryshme. Xhamitë kanë qenë vatra të para ku janë pritur dhe strehuar ikanakët dhe të pastrehët e shumtë. Janë tubuar shuma marramendëse të parave si për luftërat tona të fundit, ashtu edhe për bamirësi. Shumë shtëpi janë ndërtuar prej xhamive, gjegjësisht prej nismës së këshillit të xhamive. Shumë projekte të dobishme për popullatën janë financuar me nismë të këshillit të xhamive. Në rast krizash e katastrofash natyrore, xhamitë të parat kanë qenë ato që i kanë dal në ndihmë të sprovuarve. Në mërgim, xhamitë mes tjerash kultivojnë dukshëm edhe identitetin kombëtar. U lumturova tej mase kur pashë se si abetarja e gjuhës shqipe mësohen në njërën prej xhamive në Gjermani. Kështu veprohej edhe nëpër shumë xhami gjithandej ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët. Pikërisht në kohën kur frikësohemi se gjuha shqipe në mërgim po zbehet, dëgjojmë atje të flitej, ligjërohej e debatohej në gjuhën shqipe. Në faltore ligjëronte hoxha në gjuhën shqipe, kurse në një dhomë tjetër nën gumëzhimën e bisedave të ndryshme që bëheshin në gjuhën shqipe, dëgjoheshin dhe shikoheshin lajmet në kanalet e televizioneve shqiptare. Madje të mos harrojmë se me 10 qershor të vitit 1878 në Xhaminë e Bajrakut u mbajt Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Pas gjithë këtij roli madhështor dhe të pazëvendësueshëm, heshtet shumë për sa i përket këtij institucioni shpirtëror dhe material. Heshtet prej institucioneve shtetërore e prej një pjese të madhe të shoqërisë qytetare edhe atëherë kur sulmohet prej serbit, siç ishte rasti i djeshëm ku një serb i shtyrë prej urrejtjes fetare dhe kombëtare, madje siç raportojnë mediumet në minaren e asaj xhamie ishte edhe shqiponja dykrenësheka, ka tentuar ta shkatërrojë tërësisht minaren në Velekincë të Gjilanit, gjegjësisht në fshatin e lindjes së atdhetarit dhe heroit, mulla Idriz Gjilanit. Ata që jemi mësuar për një grimcë të reagojnë kur është fjala për ndonjë njollosje të myslimanëve dhe të islamit, heshtën porsi huta. “Feja” e tyre e quajtur liberalizëm nuk i shtyu të reagojnë. Institucionet shtetërore edhe nëse do të reagojnë më vonë, reagimi i tyre do të jetë shumë i zbehtë, krahas asaj nëse sulmuesi do të ishte shqiptar i besimit islam. Me të drejtë shprehet juristi nga Kosova Amir Ahmeti: ”Rasti i serbit që sot nisi shkatërrimin e xhamisë në Velekincë të Gjilanit, është marr nga prokurori përkatës për asgjësim apo dëmtim të pasurisë. PROTESTOJ se rasti duhet të trajtohet me nenin 147 të Kodit Penal të Kosovës për nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit kombëtar racor e fetar dhe jo për dëmtim të pronës se ajo nuk është pronë private por e shoqërisë, gjegjësisht e besimtarëve mysliman. Xhamia është vend adhurimi i jo shtëpi banimi”. Po ashtu e shoh të nevojshme ta paraqes reagimin e Jusuf Thaçit, një veprimtar i njohur i shoqërisë qytetare i cili kështu shkruan: “Desha të reagoj ndaj atij personit që e ka cenuar objektin fetar, xhaminë, por nuk po bajka me reagu se ishte serb! Shuuuunni! Serbët janë Etnia Hyjnore në Kosovë! Shuuuni! Me siguri kjo është arsyeja pse nuk reaguan as Presidenti, as Kryeministri, as Kryekuvendari, as Ambasadorët, as subjektet politike, as bashkësitë fetare, as shoqëria civile, as të pavarurit! Heshtje qyqarësh! Reagoni o të mjerë, se serbi as nuk është i shenjtë e as nuk është Zot n’Kosovë!”

Kështu që, rasti i djeshëm, ai i dy viteve më parë nga po e njëjta përkatësi kombëtare dhe fetare i cili rrugës për Prishtinë u kap me 13 kilogram shpërthim dhe pluhurosja jonë e qëllimshme e rolit të xhamive në shoqërinë tonë, kurse në anën tjetër fryrja e temave dhe termave të “terrorizmit islam”, “radikalizmi islam”, “terroristët mysliman”, “mbetjet anadollake” e të ngjashme, nuk janë gjë tjetër pos një përpjekje për t’u arratisur prej vetvetes dhe për t’i sulmuar ata që deri dje ishin të sulmuar prej armikut sllav, ndërsa e tërë kjo padrejtësi si ndaj njerëzve ashtu edhe ndaj institucioneve tona shoqërore, nuk do ta lë pa ujë mullirin e atyre të cilët 100 vjet nuk u ngopën me gjakun tonë dhe të cilët ende i kanë gjallë orekset ndaj tokave tona.

Shekulli Agency