Dje ishte keq, kurse sot nuk është mirë!

iljasa-700x380Shkruan: Iljasa Salihu

Njeriu është i prirë që ditën e nesërme ta parasheh si më të mirë krahas së sotmes, qoftë edhe nëse as me një argument të vogël nuk do të mund ta arsyetojë këtë shpresë a pritje. Ngjashëm, kur lodhemi prej motit të ngrohtë, fillojmë ta ëndërrojmë një mot më të freskët! Po ashtu, pas rritjeve të rënieve dhe pasigurisë së siguruar prej forcave të rendit dhe të sigurisë, menduam se të paktën e nesërmja nuk do të jetë kaq e keqe sikurse e sotmja. Rrjedhimisht, kur na pyetën se cila është dëshira juaj për vitin 2016, përgjigja jonë ishte që viti 2016 të mos jetë sikurse viti 2015! Pastaj me radhë, cila kishte qenë dëshira juaj për vitin 2015? Të mos i ngjante vitit 2014! Çka kishit pritur se do t’ju sillte viti 2014? Të ishte krejtësisht i ndryshëm prej vitit 2013! Në vitin 2012, si e kishit menduar vitin 2013? Kisha shpresuar se nuk do të ishte sikurse viti 2012, edhe pse e dija se po e ngushëlloja veten, ngaqë vitet në Maqedoni janë numra që ndryshojnë, mirëpo jo edhe nata jonë e gjatë dhe e acartë!

Kësisoj, me kalimin e viteve nuk kaluan edhe ngjarjet e këqija që rrodhën ndër vite, edhe pse çdo ditë e shkuar është një histori më vete, mirëpo ata që përditë po na errësojnë përditshmëritë nuk e kanë ndërmend të kalojnë në histori, ndoshta edhe për faktin se ne nuk po arrijmë të bindemi se ata që nuk marrin mësim prej historisë ose prej pësimit, ajo edhe në të ardhmen do t’i përsëritet me po të njëjtën masë, mbase edhe me dyfishin e saj, sepse e keqja kur merr trajtë përsëritëse, ajo vjen së bashku me kamatën e shtrenjtë.

Viti 2015 në Maqedoni ishte një vazhdimësi e vitit 2014, vit që na kujtonte projektin vrasës të kulturës shqiptare dhe mbytjen e buxhetit shtetëror për një projekt që nuk përfaqësonte interesat e mbushësve të këtij buxheti. Pasi vendi ishte zhytur keq në një batak të pështirë, partia opozitare maqedonase ndërmori hapa konkrete dhe të guximshme që do t’ia lëkundnin sadopak fronin partisë maqedonase në pushtet, kuptohet edhe ortakut të saj shqiptar. Ata filluan të zihen keq ndërmjet vete. Shqiptarët u gëzuan, sepse më në fund panë të kacafyten ndërmjet vete dy parti maqedonase, ngaqë ishin mësuar t’i shihnin shqiptarët seç fyheshin e rrihesh njëri me tjetrin. Ndoshta për shkak të gëzimit të tepërt ata nuk arritën si duhet ta shihnin se pësimi dhe pasoja do t’u përkiste sërish shqiptarëve.

Pikërisht në kohën kur prisnin se të ashtuquajturat bombat e Zaevit do t’i hidhnin në ajër kriminelët e vërtetë, ndodhi Gushinca dhe nata e tradhtisë së madhe në Kumanovë, ku, për pasojë, humbën jetën 8 policë dhe 10 shqiptarë të grupit të armatosur dhe pjesa tjetër u plagos dhe u burgos për t’ia humbur kështu krenarinë atyre që kishin qenë njerëz kyç në luftën e 2001-shit, edhe pse bashkëluftëtarët e atëhershëm, tani të humbur dhe matufosur në ngrohtësinë e kolltukut, heshtën porsi huta të hutuar – ndonëse dikush me çdo kusht dëshironte që numri i policëve të vrarë të jetë më i vogël se numri i grupit të armatosur. Me pak fjalë, jeta e shenjtë e njerëzve ishte shndërruar në numra të thjeshtë dhe kauzat e pjesëmarrësve në atë përleshje të armatosur ishin trajtësuar në aritmetikë. Populli filloi t’i harrojë rëniet ekonomike dhe uljen e investimeve të jashtme, ngaqë Maqedonia qe tronditur me një sulm të armatosur. Pas kësaj katrahure që forcat e rendit dhe të sigurisë dëshmuan një grykësi të paparë, dhanë dorëheqje ata që duhej të jepnin dorëheqje për shkak të skandaleve që rrodhën prej përgjimeve. Dy gjarpërinjtë që prej kohësh shtypnin dinjitetin e shqiptarëve, gjoja për arsye morale, dhanë dorëheqje pas rastit të Kumanovës, sepse po të jepnin pas skandaleve të publikuara, do të thoshte se ata i pranojnë si të vërteta ato materiale, gjë që pamundësia e përgënjeshtrimit dhe lojërat e ndërmjetme dëshmuan vërtetësinë e atyre materialeve.

Treni që bartte armët kundër nesh, nuk e kishte ndërmend të ndalej. Paaftësia dhe jogatishmëria e liderit të partisë shqiptare në pushtet dhe e shpurës së tij, prodhonte në vazhdimësi lot të nënave shqiptare dhe dëshpërim të burrave shqiptarë. Pikërisht qëndrimi i tij, që ngjante me hajdutin e veshur me rroba të sigurimit, rastin e dhembshëm të Kumanovës e lakoi në raste të lemerishme në Kumanovë. Prodhohej një dhimbje tjetër për ta harruar sadopak dhimbjen paraprake në vend të asgjësimit të varganit të dhimbjeve. Ende pa u thar mirë gjaku i të rënëve në Kumanovë, ndodhi vrasja e Komandant Shqiponjës. Përfundimisht, pas këtyre rasteve dhe ndërhyrjeve policore në vagëllimin e parë të mëngjesit, që ishin trishtim më vete, shqiptarët e harruan varfërinë, edhe pse përditë varfëroheshin, dëshpëroheshin aq shumë, saqë kishte prej atyre që thoshin “le ta dijë bota mbarë se akëcil akëcili nuk është më shqiptar”!

Marrëveshjet rrodhën, edhe pse asnjëherë nuk u dëshmua se Maqedonia di t’i jetësojë marrëveshjet, mbase vetë shumësia e marrëveshjeve dëshmoi se këtu marrëveshjet prodhohen sa për t’i arsyetuar dështimet e marrëveshjeve. Ngjau Marrëveshja e Përzhinos. Rrodhi prokurorja speciale. Data për zgjedhje të parakohshme u caktua. Pas këtij vargani a mbushje kronikash me lajme, njësoj si çdo herë, përplot dyshime për sa i përket zbatimit të detyrimeve që dilnin prej kësaj marrëveshje. Sa do të jetë e frytshme dhe e paanshme prokurorja speciale? Mos vallë zgjedhjet do të shtyhen, periudhë kjo e frikshme për ndonjë montim politikë ku si gjithherë do të pësojnë shumë keq shqiptarët?

Gjithsesi nuk ishte i rastësishëm caktimi i ditës së drurit pikërisht në ditën kur Mali i Zi mori ftesën për në NATO. Analistët me të drejtë thoshin se ku ishim e ku jemi tani. Dështakët dhe prurësit e këtij rezultati, në vend të dorëheqjes dhe marrjes së përgjegjësisë së duhur, filluan të gjejnë arsye nga më foshnjore, gjoja se lufta në Ukrainë dhe ajo në Siri ishte shkaktare e mosmarrjes ftesë prej NATO-s. Në sajë të kësaj teorie doli që Mali i Zi të ishte shtet diku në planetin Mars, ndaj ndikimi i këtyre luftërave nuk kishte pasur mundësi të mbërrijë atje!

Krejt në fund në këtë maratonë, që nuk i shihet fundi, ai që në çdo lëndë kishte nota të dobëta, filloi të dëshmohet se vetëm në muzikë meriton notë të shkëlqyer. Populli dergjej, sepse rastet e montuara politikisht, nënave, grave e fëmijëve shqiptarë ua kishin djegur zemrat; ndonjëra vajtonte djalin e vrarë, ndonjëra djalin e pafajshëm që kishte marrë burg të përjetshëm e ndonjëra vajtonte të birin teksa merrte rrugën e mërgimit për një mbijetesë. Sërish, ai që kishte marr vota për t’i zgjidhur shumë probleme dhe për të mos krijuar tutje probleme, ia dha këngës duke na treguar se kënaqet duke kënduar, sjellje këto që e bëjnë detyrim moral dhe juridik kundërshtimin me ngulm të kësaj mendësie dhe shpure prej të gjithë atyre që sado pak kanë moral dhe e duan drejtësinë. Përndryshe prania e këtyre batakçinjve do të thotë prani të telasheve, që ishin dhe që janë në mjedisin tonë, madje duke u shtuar problemet nga dita në ditë!

Shekulli Agency