Diplomaci me anomali

Abdi BALETA

Shkruan: Abdi Baleta

Xhon Kerri është i pesti Sekretar i Departamentit Amerikan të Shtetit që nderoi Shqipërinë, me një vizitë zyrtare 5-orëshe në Tiranë në “Ditën e të dashuruarve” (Shën Valentini), më 14 shkurt 2016. Para tij Tiranën e kanë vizituar Sekretarët e Shtetit, Xhejms Bejker III, Medlin Ollbrajt, Kolin Pauell, Hillari Klinton. Shqipërinë e kanë nderuar me vizitën e tyre edhe dy presidentë amerikanë. Secila nga këto vizita ka qenë e mbetet historike për shqiptarët. Është e kuptueshme që sot nuk mund të krijohet më ajo atmosferë e ndezur si në qershor të vitit 1991 kur në sheshin “Skënderbej” të Tiranës Xhejms Bejkerit i bëhej një pritje popullore madhështore, spontane e delirante ose atmosfera që u krijua në Fushë-Krujë në qershor të vitit 2007, kur Presidenti Xhorxh W. Bush, në shkelje të rregullave për sigurinë e tij, hyri në turmën euforike që e brohoriste.

Për shqiptarët është mbarësi që shefat dhe diplomacia amerikane e kanë bërë praktikë të pandryshueshme në punën e tyre ta kenë Shqipërinë në qendër të vëmendjes e të përkujdesjeve. Në artikujt “Në pritje të ‘Zonjës Drejtësi’” dhe “Në vend të bashkëbisedimit me ambasadorin Hill” (“Rimëkëmbja” 22 dhe 29 shkurt 2000) kam shkruar (pa eufori) për vizitën e Zonjës Medlin Ollbrajt. Në kumtesën “Përkujdesjet diplomatike amerikane për shqiptarët”, mbajtur në seminarin me temë “Roli i SHBA-ve në shtetformimin e shqiptarëve”, organizuar nga “Universiteti për Biznes e Teknologji” dhe “Miqtë e Amerikës” në Prishtinë më 20 nëntor 2012, kam shkruar me entuziazëm për vizitën e Sekretares së Shtetit, Zonjës Hillari Klinton. Me pakëz përtaci u ula të shkruaj kësaj radhe për vizitën e Xhon Kerrit, e cila ka tipare më të përafërta me vizitën e Medlin Ollbrajtit sesa me atë frymëzuese të Hillari Klintonit. Rrethanat politike i japin ngjyrimet përkatëse çdo vizite. Kjo përshtypje m’u përforcua pasi në gazeta të ndryshme gazetarët raportues, formuluesit e kronikave, analistët e opinionistët e trajtonin vizitën e Kerrit me ndjesi të trazuara dhe nga disa këndvështrime çorientuese.

Vlerësimi më i saktë më është dukur titulli “Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, mbërriti të dielën në Shqipëri. Një vizitë historike për nga rëndësia e nivelit të përfaqësimit, por edhe për nga vendi nga vjen” (Telegraf”, 15 shkurt 2014). Gazetat në përgjithësi kanë vënë në dukje se Xhon Kerri është njeriu i dytë në administratën amerikane. Dihet që SHBA-të sot janë shteti më i fuqishëm në botë, drejt të cilit janë drejtuar më së shumti sytë, mendja e shpresat e shqiptarëve, që vetëquhen, pa modesti, “populli më proamerikan në botë”. Xhon Kerri na siguroi se SHBA-të i njohin dhe i vlerësojnë shumë ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në jetën kombëtare e shtetërore dhe në ndjesitë e në mendësitë e shqiptarëve. Vizita e tij dha mesazhin se SHBA-të do të përpiqen vazhdimisht e me këmbëngulje të përforcojnë e të garantojnë përparimet e Shqipërisë në rrugën demokracisë dhe të zhvillimit ekonomik e shoqëror.

Duhet vlerësuar si një mbështetje dhe interesim i veçantë i SHBA-ve për Shqipërinë e shqiptarët fakti që Xhon Kerri erdhi në Tiranë në një kohë kur ai dhe diplomacia amerikane janë tejet të ngarkuar me punë e me telashe për shkak të zhvillimeve të koklavitura e tensioneve të ngritura në botë, sidomos në Lindjen e Mesme e në Ukrainë. Tashmë jo vetëm vëzhgues seriozë të zhvillimeve ndërkombëtare, por edhe drejtues politikë shtetesh të fuqishme, në radhë të parë të Rusisë, po flasin haptazi për rifillimin e Luftës së Ftohtë; po hamendësojnë kërcënueshëm se puna mund të shkojë deri në kapërcimin nga Lufta e re e Ftohtë në ballafaqime të armatosura në shkallë të gjerë, madje edhe me armë bërthamore. Nuk besoj se ka qenë thjesht detyrimi për të bërë vizitën e planifikuar në muajin dhjetor 2015, që e ka shtyrë Xhon Kerrin të gjente pesë orë kohë e të hidhej në Tiranë drejtpërsëdrejti nga konferenca e tensionuar mbi politikat e sigurimit, që sapo kishte përfunduar në Munih të Gjermanisë dhe nga takimet e lodhshme për çështjet e Sirisë, të Ukrainës, të përshkallëzimit të përplasjeve ruso-turke dhe të krizës në BE nga vërshimet e refugjatëve.

Vizita e Xhon Kerrit në Tiranë është dëshmia më e freskët se SHBA-të, pas një tërheqjeje disavjeçare, po i japin vend të veçantë pozicionit gjeostrategjik të Shqipërisë në gjeopolitikën e tyre në Ballkan. SHBA-të nuk mund të mos venë re dhe të shqetësohen nga gjallërimi i ambicieve të vjetra cariste ruse dhe nga përshkallëzimi i veprimtarive të reja perandorake putiniste të Kremlinit për depërtime të reja dhe ndikim më të madh në Ballkan. Pra, Xhon Kerri e bëri vizitën e shtyrë në Shqipëri i nxitur jo vetëm nga mirësjellja diplomatike ndaj pushtetarëve e politikanëve shqiptarë, që i kishte lënë në pritje; jo vetëm nga vlerësimi e nderimi për ndjenjat miqësore të shqiptarëve ndaj Amerikës; por pikësëpari për të afirmuar para botës se SHBA-të kanë interesa të mëdha strategjike (në mos jetike) në Shqipëri. Dhe, pikërisht kjo arsye e fundit duhet të na gëzojë më shumë neve shqiptarëve në këtë kohë, kur ujërat në Ballkan e rreth tij po turbullohen shumë. Vizitën e Xhon Kerrit duhet ta analizojmë e vlerësojmë jo thjesht nga këndvështrimi i këndshëm propagandistik e ledhatues për krenarinë tonë; jo vetëm si një rikonfirmim i interesit amerikan që Shqipëria e shqiptarët të shpëtojnë nga trashëgimitë e këqija të regjimit komunist dhe të gëzojnë të mirat që u vijnë nga zhvillimet demokratike. Është më mirë që vizitën e Xhon Kerrit ta vështrojmë si kujtesë e rast për të kuptuar se diplomacia amerikane pret nga shqiptarët, në radhë të parë nga pushtetarët e drejtuesit e tyre politikë, t’i kuptojnë më mirë detyrimet e veta për ta bërë sa më vepruese miqësinë dhe aleancën amerikano-shqiptare.

Shqiptarët duhet të shqetësohen që vizita e Xhon Kerrit u shoqërua me anomali diplomatike. Nuk mund të thuhet se kjo vizitë solli arritje të reja, konkrete e të kapshme politike, diplomatike e në veçanti ekonomike, ku marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë shumë të dobëta. Nga një reportazh në televizionin publik mësuam se në fillim të viteve 1920-të Shqipëria paska pasur si partnerin e saj të tretë në shkëmbimet tregtare pikërisht SHBA-të, ku eksportonte ca djathë, kaçkavall e ca punime rrobash me dorë. Nga gazeta “Standard” më 13 shkurt mësuam se në vitin 1819 Ali Pashë Tepelena paska pritur dy gazetarë amerikanë dhe u ishte lutur atyre të ndihmonin për shkëmbimet tregtare. Ndërkaq sot asnjë mekanizëm shtetëror ose ekonomik shqiptar nuk jep të dhëna të gëzueshme për lidhjet ekonomike të Shqipërisë me SHBA-të. Duket se ende kemi mbetur te shpresat e kohës së Ali Pashës. Investimet e fuqishme amerikane mungojnë. Në fakt janë shqiptarët që largohen drejt Amerikës e që çojnë atje vlera të konsiderueshme monetare për të rregulluar më shpejt e më lehtë jetën e tyre. Ndërsa kryeministrat e ministrat shqiptarë për të kërkuar investime që të mbajnë me gajret popullin turren drejt Kinës, Japonisë e Lindjes, jo drejt SHBA-ve e BE-së.

Sot puna më e lehtë që mund të bëjë çdo shqiptar, sidomos politikanët, është të mburret se “është proamerikan”. Edhe sot, kur njësoj si para 16 vjetësh, në pushtet janë socialistët e në opozitë janë demokratët, më duken plotësisht të vlefshme fjalët që kam thënë: “Pushtetarëve shqiptarë vizita e Ollbrajtit u duhej për të zgjatur jetën në pushtet. Opozitarëve, që mezi presin të marrin pushtetin, u duhej të thonë se ata janë më të zellshmit të shkojnë pas SHBA-ve. Prandaj, të gjithë janë në garë të bëjnë lëvdata; të shohin vetëm anën rozë të kësaj vizite; të hiqen si më të përvuajturit në dashurinë për SHBA-të dhe nuk janë të aftë të vënë re ose i mbyllin sytë dhe veshët ndaj momenteve të vizitës që mund t’u kushtojnë shqiptarëve shumë” (“Rimëkëmbja, 22 shkurt 2000). Kjo u vu re edhe gjatë vizitës së Xhon Kerrit. Politikanët në pushtet dhe në opozitë përpiqeshin më shumë të krijonin për vete imazhin e proamerikanit, duke keqpërdorur fjalët e Xhon Kerrit si mbështetje për politikën e tyre egoiste personale e partiake. Qeveritarët dhe opozitarët shqiptarë nuk vepruan bashkërisht që të shfrytëzonin vizitën në të mirën e shtetit e të kombit dhe për të krijuar besim më të madh te diplomacia amerikane se këshillat e saj do të dëgjohen me përgjegjësi, përkushtim të sinqertë e vullnet të mirë politik, që të fashiten sa më shpejt shqetësimet që ndjen diplomacia e SHBA-ve lidhur me Shqipërinë (korrupsioni galopant, sistemi i kalbur i drejtësisë, lufta e dobët kundër krimit të organizuar, mungesa e sistemit zgjedhor për zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme, dekriminalizimi i politikës, ekonomia e dobët, demokracia e rrezikuar etj). Shërimin e plagëve të tilla e pat kërkuar me forcë Medlin Ollbrajt në fjalimin e saj para Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2000. E pat kërkuar edhe Hillari Klintoni në fjalimin frymëzues, po në Kuvendin e Shqipërisë, në vitin 2012. Këto gjëra i kanë kërkuar të gjithë përfaqësuesit e diplomacisë amerikane në Uashington, Tiranë e në mekanizma ndërkombëtare. Shërimin e këtyre plagëve e theksoi si detyrë parësore edhe Xhon Kerri, që tregon se diplomacia amerikane është e dëshpëruar që gjendja në Shqipëri nuk ka shkuar drejt përmirësimit, por drejt përkeqësimit të funksionimit të shtetit ligjor.

Anomalia diplomatike më e madhe dhe e paprecedent (deri në përmasa absurdi) ishte me “natyrë protokollare”. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, për të pritur Xhon Kerrin nuk kishte dalë homologu i tij, ministri i Jashtëm, Bushati, ose një zëvendës i tij, siç e kërkon dhe e lejon protokolli klasik normal. Nuk ishte madje as kryeministri, siç mund të ndodhë kur një miku të ngushtë dhe aleati të shtrenjtë do t’i bësh një nderim të veçantë. Por, ishte vetë kryetari i shtetit, Presidenti Bujar, që i dha dorën mikut, sapo zbriti nga shkallët e avionit. Ata shkëmbyen për 3-4 minuta fjalë që askush nuk i dëgjoi, përveç ambasadorit amerikan Lu, i cili qëndronte ngjitur me ta. Askush nuk ka mësuar deri më tani se çfarë i thanë njëri-tjetrit. Kerri u largua me shumë ngut drejt Tiranës me automobilin e tij. Gjithçka të linte përshtypjen e një “skene konspirative”, që dha shkas për dyshime e hamendësime. Nuk kanë munguar as përqeshjet e batutat zemërake, sidomos midis kryeministrit Rama e presidentit Nishani. Presidenti është mburrur se kishte bërë një gjest madhështor për të nderuar Amerikën dhe se dalja e tij në aeroport ishte kërkuar nga vetë Kerri. Mbetet enigmë nëse kishte vërtet një kërkesë të tillë amerikane apo Kerri ishte zënë ngushtë nga një këmbëngulje e Nishanit që donte ta sfidonte Ramën! Por, edhe hipoteza e dytë nuk e zhduk enigmën pse të binte në atë pozitë diplomacia amerikane. Mos vallë Kerri donte të përcillte një mesazh që nuk mund t’ia jepte askujt tjetër përveç Nishanit?! Mos vallë Nishani kishte kërkuar me këmbëngulje këtë takim paradoksal për të përcjellë ndonjë mesazh të Berishës, që ishte përjashtuar nga protokolli i takimeve me Kerrin dhe Berisha nuk e përcillte dot mesazhin as nëpërmjet kryetarit të tij partiak, Basha?!. Mund të bëhen dhe hipoteza të tjera, por anomalia madhe nuk zhduket dot më.

Anomali që ra në sy ishte dhe përjashtimi nga programi i takimeve të veçanta të Kerrit me kryetarin e Parlamentit Ilir Meta. Ky nuk u duk gjëkundi gjatë lëvizjeve të Kerrit, çka të bën të dyshosh se shefi i diplomacisë amerikane ka pasur arsyet e veta të forta për të mos u takuar me Metën. Arsyetimet që janë dhënë për këtë takim të munguar, si nga pala shqiptare dhe ajo amerikane, nuk janë fare bindëse.

Anomalia më sherrnxitëse u bë mohimi nga Xhon Kerri dhe nga Edi Rama i zërave se një pikë e veçantë në bisedimet midis tyre kishte qenë vendosja në Shqipëri e 2000 muxhahedinëve të tjerë iranian,ë të grumbulluar nën kujdesin amerikan në Irak. Para se të mbërrinte Kerri në Tiranë shtypi kishte shkruar për këtë çështje, madje kishte përmendur se Rama e kishte vështirë ta refuzonte, ngaqë Amerikës ende nuk i kishte ikur inati që Rama nuk pranoi që në Shqipëri të shkatërroheshin armët kimike nga Siria. Sapo u largua Kerri, qarkulluan lajmet se një funksionar i Departamentit amerikan të Shtetit kishte deklaruar se Kerri e kishte biseduar e zgjidhur me Ramën punën e muxhahedinëve, por kjo nuk ishte bërë e ditur nga dy bashkëbiseduesit në Tiranë për shkak të “ndjeshmërisë që paraqet kjo çështje për shqiptarët”. Pikërisht kjo “ndjeshmëri” u bë strumbullar propagandistik i interpretimeve nga më të ndryshme, duke shqetësuar opinionin publik dhe duke zbehur disi vlerat kryesore të vizitës. Mendimet e vëzhguesve e të njerëzve u ndanë. U lëshuan alarme se nga prania e muxhahedinëve “xhihadistë e terroristë” iranianë do të vihet në rrezik siguria e Shqipërisë; se Shqipëria nuk do të jetë në gjendje t’i mbajë nën kontroll ata dhe as t’i mbrojë nga sulmet e jashtme që mund të ndërmarrin kundër tyre shërbimet sekrete iraniane e të tjera. Shqiptarët, që iu kundërvunë kësaj zgjidhjeje të kërkuar nga amerikanët, mund të jenë nisur nga shqetësime të sinqerta e të kuptueshme, por kanë shpërfillur dy rrethana: 1. Shqipëria i pranon muxhahedinët, sepse këtë gjë ia kërkon aleati më i mirë i saj; 2. Shqipëria ka një pjesë të madhe të popullsisë së saj në emigracion dhe moralisht nuk e ka të lehtë t’i mbyllë hermetikisht kufijtë për njerëz që janë në rrezik në vendin e tyre ose që nuk i pranojnë gjetkë.

Anomalia më e madhe, jo më diplomatike, por politike shqiptare, është ajo se sapo iku Xhon Kerri, në Shqipëri u rindez edhe më i ashpër sherri. Pas bisedimeve zyrtare në selinë Kryeministrisë, Rama dhe Xhon Kerri dolën para gazetarëve, jo për të dhënë konferencë shtypi, por për të bërë nga një deklaratë. Ishte një shkëmbim fjalimesh në vend të një komunikate të përbashkët. Gazetarët nuk u trajtuan në të njëjtin nivel protokollar në krahasim me pushtetarët e opozitarët, madje as “ojëqarët” (përfaqësuesit e shoqërisë civile), me të cilët Xhon Kerri pati takimin përmbyllës në Muzeun e Historisë.

Në deklaratën e tij kryeministri Rama në fakt mbajti një fjalim-paradë të sukseseve të qeverisjes së vet dhe parashtroi perspektivat më të mira për ecurinë e mëtejshme të punëve në Shqipëri. Rama i përcolli opozitës mesazhin se reforma në drejtësi do të bëhet patjetër dhe se ndryshimet kushtetuese do të miratohen brenda muajit mars 2016. Pas largimit të Kerrit, në fushatën e tij propagandistike Rama po e përdor si dërrasë shpëtimi të politikës së tij të deritanishme dhe po i mban si hajmali mbrojtëse për veprimet e ardhshme të qeverisë fjalët e mikut “Ju po shkoni në drejtimin e duhur”. Po Rama i quan ecje në drejtim të duhur edhe lëvizjet në kah kundërt që ai i bën herë pas here me voluntarizmin e tij qeverisës.

Ndërkaq opozitarët, pas takimit me Kerrin, dëshmuan se asgjë nuk kishin kuptuar e mësuar, pasi nuk paraqitën ndonjë ndryshim në mendësitë dhe në formulat e tyre bajate politike të mëparshme. Kryetari i opozitës, Basha, pasi doli nga takimi me Kerrin dhe as më vonë, nuk ka sqaruar se për çfarë bisedoi dhe u mor vesh me të, çfarë hapash politikë i janë kërkuar të hedhë dhe çfarë sigurishë ka dhënë se ka dëgjuar mirë mesazhet që mori. Basha, thjesht, ka përsëritur deklaratat që i bën në çdo shfaqje televizive. E vetmja deklaratë e tij për t’u mbajtur shënim, pasi iku Kerri, ishte ajo se opozita nuk do të pranojë të hyjë në zgjedhje të reja, pa u larguar më parë qeveria e Ramës dhe pa u krijuar një qeveri teknike. Nuk dihet nëse Basha këtë gjë ia ka thënë Kerrit gjatë takimit. Kjo deklaratë përbën një sfidë të rëndë ndaj vizitës së Kerrit, në rast se atij nuk i është thënë dhe shënon një dështim nëse ai kishte marrë dijeni dhe nuk e ka penguar dot.

Anomali në diplomaci duhet quajtur edhe anashkalimi, të paktën publikisht, i aspekteve të mprehta të çështjes kombëtare shqiptare, duke u mjaftuar me ritheksimet nga ana e Kerrit të formulave standarde për rolin dhe kontributin e shqiptarëve në paqen e stabilitetin rajonal dhe për ndihmesën e madhe për luftën kundër terrorizmit. Sa më shumë lëvdata të tilla marrin shqiptarët, aq më gërryese bëhen zhvillimet në Shqipëri e në Kosovë. Mbetet e paqartë nëse SHBA-të nuk janë në gjendje apo nuk janë përcaktuar ende që t’i jepet fund kësaj ANOMALIE.

Shekulli Agency