BREXIT-i i munguar në diskutimin publik shqip

Arber-zaimi-111Sigurisht, çelja e hapësirave të diskutimit nuk i leverdis gjithkujt. Për shembull, nuk u leverdis mediave. Jo vetëm që nuk ka pasur analiza të BREXIT para referendumit, por edhe pas përfundimit të referendumit mediat shqiptare nxituan të jepnin lajmin se Britania votoi të mbetet në BE.

Shkruan: Arbër Zaimi, Tiranë

Referendumi për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, i ashtuquajturi BREXIT, prej muajsh ka marrë një vend të rëndësishëm në diskutimin publik jo vetëm në kontinentin evropian, por kudo nëpër botë. Një diskurs publik i polarizuar, i shënjuar prej frikërave e atavizmave, prej pasigurisë në të ardhmen, e prej një lloj mllefi ndaj burokracive e elitave, karakteristik për momentet e krizave e depresioneve ekonomike.

Por, në diskutimin publik shqip kjo çështje para referendumit është trajtuar fare pak, e në rastet kur është trajtuar është përmendur si një lloj shakaje ose batute sipërfaqësore, në deklarata politikanësh shqiptarë të Shqipërisë e Kosovës që i bënin thirrje Londrës të mos dilte nga BE-ja. Mbase pikërisht mungesa e diskutimit publik mbi BREXIT-in shkaktoi shock-un pasi u publikuan rezultatet e referendumit, si dhe një valë komentesh të rangjeve të ndryshme nëpër rrjete sociale. Por, meqenëse BE dhe Britania janë faktorë me impakt të rëndësishëm edhe për ne, është me rëndësi t’i trajtojmë disa elemente që shpërfaq BREXIT si i tillë dhe ne në raport me BREXIT.

Së pari, le të vëmë re se, ndërkohë që populli i Britanisë ka votuar për të dalë prej BE-së, kjo nuk do të thotë automatikisht dalje. Në fakt, daljen prej BE-së e rregullon neni 50 i Traktatit të Lisbonës, i cili parashikon se ai shtet që dëshiron të largohet prej BE-së duhet të njoftojë zyrtarisht BE-në për këtë synim e më pas të negociohen marrëveshjet për daljen, të cilat mund të zgjasin jo më shumë se dy vjet që prej periudhës së njoftimit zyrtar.

Kryeministri i Britanisë, Cameron, pas referendumit ka njoftuar publikun për dorëheqjen e tij, ndërkohë që do ta mbajë postin deri në vjeshtë, kur të zgjidhet elita e re e Partisë Konservatore. Cameron ka thënë se njoftimin zyrtar sipas nenit 50 të Traktatit të Lisbonës do të mund ta bënte vetë, por duket se tashmë të gjithë po tremben prej fillimit të negociatave për dalje dhe po përpiqen t’i vonojnë ato sa më shumë. Vetë konservatorët po i bëjnë presion Cameronit që t’ia lërë vendimin për zbatimin e nenit 50 kryeministrit të ri. Kushtetutshmërisht në Britani kryeministri ka të drejtë të marrë vendimin për të nisur zbatimin e nenit 50, meqenëse në monarki kjo prerogativë e mbretëreshës i transferohet kryeministrit, por nga ana tjetër edhe parlamenti ka të drejtë të mblidhet e të votojë ta ndalë kryeministrin. Gjë që duket tepër e mundshme po të shihet se shumica e parlamentarëve të dalë nga zgjedhjet e 2015 janë pro-BE.

Nga ana tjetër, zyrtarët evropianë, ndër të cilët më i zëshmi është Martin Schultz, kanë kërkuar nisjen e menjëhershme të zbatimit të nenit 50 të Traktatit të Lisbonës. Duket se rolet janë ndërruar. Ata që deri dje ishin duke iu lutur Britanisë të mos e lëshonte Evropën, sot po nxitohen që të kryejnë procedurat që Britania të dalë sa më shpejt. E ata që deri dje ishin të zjarrtë për daljen sot duken të përpleksuar. Vetë udhëheqësit e fushatës “Out” po kërkojnë negociata informale para se të ndodhë fillimi i zbatimit të nenit 50. Situatë paradoksalisht e përmbysur.

Një gjë është e sigurt, se BE-ja nuk është e zonja të fitojë referendume, e këtë nuk e demonstrojnë vetëm referendumet e viteve të fundit në Britani e Greqi. Me politikën e saj burokratike BE-ja nuk ia ka dalë të ndërtojë hegjemoni në popujt që e përbëjnë, kështu që për shumëkënd funksionon si një strukturë e huaj, bezdisëse, antidemokratike, elitariste e në shërbim të bankave e bizneseve të stërmëdha. Kriza ekonomike globale dhe problemet gjeopolitike, që kanë shkaktuar krizën e emigrantëve/refugjatëve, po ashtu kanë luajtur rolin e tyre në përforcimin e një sentimenti të madh popullor anti-elitë. Fatkeqësisht, me mungesën e madhe të së majtës, ky sentiment anti-elitë është  bërë për vete kryesisht nga e djathta, e cila i ka diktuar kësaj lëvizje parimet e veta: nacionalizmin përjashtues, racizmin, anti-imigrantizmin, kthimin në merkantilizëm dhe një lloj neo-reaksionarizmi të përgjithshëm, që ka potencialin të bëhet i rrezikshëm në një të ardhme.

Të trembur prej kësaj, shumë të majtë në Britani e kudo në Evropë i janë ngjitur nga pas projektit të BE-së, duke e parë si shpëtim të vetëm prej neo-reaksionarëve. Por, pikërisht këtu qëndron edhe dështimi i tyre, tek mbajtja e anës së projektit elitar e antipopullor.

Frikërat e të majtëve për daljen e Britanisë (dhe ndonjë vendi tjetër në vijim) prej BE-së, në fakt janë frikëra që i kanë pikërisht ndaj mungesës së tyre, edhe pse paraqiten në formën e determinizmave dhe fatalizmave.

Për shembull, e majta thotë se qëndrimi në BE është më i favorshëm për emigrantët, e parandalon neo-fashizmin dhe autoritarizmin dhe bën të mundur një hapësirë solidariteti për popujt. Por, nuk ka qenë kështu. Qëndrimi i BE-së për emigrantët është dëshmuar me mbytjet e panumërta në detin Mesdhe, pranë Kretës a pranë Lampeduzës. Po ashtu është dëshmuar në gardhet e Hungarisë e Austrisë, në muret e Ceutës dhe Melilës e në marrëveshjen e përgjakshme të nënshkruar me Turqinë, marrëveshje e cila (pa dashje…) i ktheu refugjatët pikërisht në zonën e luftës, duke i lënë pamëshirshëm pre të një organizate fashiste si ISIS-i dhe pre të trazirave që janë krijuar edhe si pasojë e indiferencës ndaj autoritarizmave e diktaturave në Lindjen e Mesme. E, sa për parandalimin e neo-fashizmit, me sa duket BE-ja është territor pjellor për mbarështimin e asaj fare të keqe. Prej Jobbik-ut në Hungari, tek zgjedhjet presidenciale të Austrisë, tek PEGIDA në Gjermani, tek Le Pen në Francë, Wilders në Holandë ose Partia e Popullit Danez që fitoi zgjedhjet në Danimarkë, për të mos përmendur përbindëshat e Agimit të Artë në Greqi, të gjitha këto, përfshirë edhe aradhet e UKIP-it, BNP-së etj në Britani, janë fenomene të rritura në BE, që BE-ja jo vetëm që nuk i ka parandaluar, por nuk ka mundur t’ua ndalë as suksesin. E sa për autoritarizmin, mjaftojnë Orbanët e Dudat për të kuptuar se kjo BE nuk e ka për gjë të mbështesë sharlatanët grushtfortë, siç bën edhe në Ballkan me Vuçiqin, Gruevskin, Gjukanoviqin e Thaçin.

Pra të gjitha frikërat e së majtës për regres në terrin e nacionalizmit shoven, nëse dilet prej BE-së, dalëngadalë po bëhen realitet brenda në BE. Këto frikëra realizohen si në BE, si jashtë BE-së, si pasojë e mungesës së një të majte reale, me strategji e me organizim relevant. Përndryshe, nuk ka asnjë lidhje shkak-pasojë mes qenies shtet jashtë BE-së dhe regresit në frymën politike. Ka plot shtete jashtë BE-së (madje që as synojnë të jenë pjesë e saj), madje që mund të jenë edhe më të varfra etj., por janë më të hapura, larg shovinizmave e përjashtimeve identitariste.

Diçka tjetër që duhet analizuar në rastin e BREXIT-it, është marrëdhënia jonë me BE-në. E vetmja gjë që e mund eurofilinë tek ne ndoshta është amerikanofilia. Tash e 25 vjet shqiptarët ushqehen me lugë bosh prej politikanëve të tyre, duke dëgjuar vazhdimisht leitmotivin se “gjërat janë keq, por do të zgjidhen në BE”. Madje edhe për bashkimin kombëtar kanë gjetur formulën delikate për ta mohuar, duke thënë se do të bashkohemi në BE. Në kaq pak fjalë mund të reduktohet kapaciteti i elitave shqiptare për të bërë politikë, qofshin ato në Shqipëri, Kosovë a Maqedoni. Asnjë plan për të ndërtuar një ekonomi reale, asnjë plan për të nxjerrë nga gjumi i vdekjes arsimin e kulturën, shëndetësinë e drejtësinë ose për të ndërtuar një minimum mbrojtjeje ushtarake. Në këtë sens BE-ja për shqiptarët ka përfaqësuar antipolitikën, shënjuesin që shuan çdo lloj kërkese politike, premtimin parajsor. Kjo situatë prodhon e shpërndan budallallëk, gjë që reflektohet edhe tek qindra studentë që kanë laureuar e masterizuar e doktoruar në të ashtuquajturat Studime Evropiane. Por çka ndodh nëse BE-ja nuk është parajsa e premtuar, nuk është synimi i përjetshëm tek i cili kur të arrijmë nuk do të na duhet më të merremi me politikë? Këtyre pyetjeve pakkush ulet t’u japë seriozisht përgjigje ndër shqiptarë, e gjasat janë që ai që ulet menjëherë të etiketohet me turlifarë epitetesh sharëse. Eh, tash referendumi në BE me rezultatin e tij e bën të mundur më lehtë shikimin kritik e objektiv ndaj një BE-je joparajsore, gjithmonë nëse nuk ndodh që policët e opinionit publik ta damkosin gjithë Britaninë me vulën e “anti-evropianit të mallkuar”. Ndaj, ky event e çel një hapësirë më të madhe në horizontin e mbyllur e të errët të diskutimit publik shqip.

Sigurisht, çelja e hapësirave të diskutimit nuk i leverdis gjithkujt. Për shembull, nuk u leverdis mediave. Jo vetëm që nuk ka pasur analiza të BREXIT para referendumit, por edhe pas përfundimit të referendumit mediat shqiptare nxituan të jepnin lajmin se Britania votoi të mbetet në BE. Profesionalizmi i këtyre mediave pa dashje tregoi edhe një të vërtetë të hidhur për trajtimin e zgjedhjeve në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni nga vetë këto media, që s’janë gjë tjetër përveçse revolverë në dorën e pushtetarëve, revolverë që përdoren për të kërcënuar e për “të vrarë” kundërshtarin, por më së shumti publikun. Koha është që shqiptarët t’i kthehen seriozisht bërjes së politikës shqip dhe të kuptojnë se, brenda ose jashtë BE-së, kjo është mënyra se si funksionojnë shtetet. Nuk është asnjë shtet i BE-së i suksesshëm për shkak të Brukselit e për shkak të delegimit të sovranitetit tek burokratët, por për shkak të mënyrës se si ndërtohet konstelacioni politik përbrenda shtetit dhe se si i rregullon ky konstelacion pushtetet e punët në mënyrë sovrane.

Po ashtu, çelja e diskutimit publik dhe thyerja e tabuve “evropianiste” nuk u intereson as politikanëve shterpë, që nuk duan të flasin më as për ekonomi, as për politika sociale, as për politika të mbrojtjes e as për shërbime publike, por vetëm për “integrime”. Kështu Thaçi për disa muaj me radhë i ka dërguar mesazhe të forta Britanisë që të mos guxojë të lëshojë BE-në, e tani që Britania nuk iu bind, Thaçi ka lëshuar kërcënimin e radhës, duke thënë që nga Panamaja ku gjendet për arsye “zyrtare”, se dalja e Britanisë nga BE-ja e vë në rrezik të ardhmen evropiane të Ballkanit. Çka dashur të thotë vallë Thaçi me këtë fjali? Do të mbetet mister dhe sfidë për gjeneratat e ardhshme. E vetmja situatë që do të mund të paraqitej më qesharake se sa kjo e Thaçit “europianist” përballë Britanisë antieuropiane, do të ishte përballja e Ramës “pacifist” me një fitore eventuale të Trump-it në SHBA. Na ruajttë Zoti prej këtij lloji të humorit…

Shekulli Agency