Athina me Beogradin rinovojnë marrëdhëniet strategjike

Gjatë vizitës së kryeministrit grek, Aleksis Cipras në Beograd u vendos për krijimin e një Bordi të Përbashkët të Lartë Këshillues dhe mbajtjen në pranverë, në Selanik, të një mbledhje të përbashkët ndërmjet dy qeverive

Në një vizitë dyditore që zhvilloi javën e kaluar në Beograd, Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras tha se ata e shohin Serbinë si vendin kyç të Ballkanit dhe se mbështesin dëshirën e këtij vendi për t’u bërë anëtar i BE-së. Në kuadër të kontakteve të nivelit të lartë që pati në Beograd, Ciprasi dha mesazhe se Serbia me Greqinë do të punojnë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe politike dhe ekonomike në drejtim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në Ballkan. Në këtë kontekst, u vendos që mes dy vendeve të krijohet një Këshill i Përbashkët i Lartë Këshillues dhe për mbajtjen në pranverë, në Selanik, të një mbledhje të përbashkët ndërmjet dy qeverive. Si pjesë e kontakteve në Beograd, Ciprasi mori pjesë edhe në Forumin e Biznesit Greqi-Serbi, organizuar nga Dhoma Serbe e Tregtisë dhe Industrisë.

Për arsye historike dhe kulturore, marrëdhëniet ndërmjet Greqisë dhe Serbisë janë të bazuara tradicionalisht në një miqësi të fortë. Bashkëpunimi ndërmjet Beogradit dhe Athinës gjatë periudhave të ndryshme të historisë ka arritur deri në përmasa strategjike. Një situatë e ngjashme ka ndodhur kohët e fundit, në gjysmën e parë të viteve 1990, kur Greqia kishte probleme me vendet fqinje si: me Turqinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Në atë kohë Greqia e konsideronte Serbinë si mikun e saj të vetëm në rajon. Kurse në këndvështrimin e Serbisë, Greqia nuk ishte vetëm një vend mik, por ajo luante edhe rolin e një ‘shtabi’ brenda NATO-s dhe BE-së. Për më tepër, Greqia nuk e respektoi shumë embargon ekonomike që u zbatua kundër Serbisë në vitet 1990, ndërsa vullnetarët grekë në luftën e Bosnjës luftuan krah për krah me serbët.

Në vitet 90-të në Greqi u mbajtën disa protesta në mbështetje të serbëve. Media greke shkroi e foli me simpati të madhe për serbët. Veçanërisht që nga shpërbërja e Jugosllavisë së Titos, mediat greke në përgjithësi kanë mbajtur anën e serbëve duke dalë kundër vijës së Perëndimit. Sondazhet kanë treguar se rreth 95 për qind e popullit grek nuk e mbështetën ndërhyrjen e NATO-s në Serbi në vitin 1999.

Diplomacia greke, edhe pse e ka mbështetur gjithmonë udhëheqjen e Sllobodan Millosheviçit në Serbi, ajo është treguar e kujdesshme për të mos i prishur marrëdhëniet me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Ndërsa në vitin 2000, kur administrata Milosheviçit ishte tronditur shumë, edhe Greqia filloi ta kthejë fytyrën nga opozita serbe që gëzonte mbështetjen e Perëndimit. Por në dallim nga Perëndimi, Greqia refuzoi të njohë pavarësinë e Kosovës. Në vend të njohjes, në vitin 2000 Athina hapi në Kosovë një zyrë kontakti dhe vazhdoi të pranojë dokumentet e shtetit të Kosovës, si për shembull pasaportën.

Megjithëse vizita e parë e nivelit të ministrit të jashtëm grek më 14 korrik 2015 në Kosovë, kishte shkaktuar në Serbi shqetësimin se edhe Athina, të cilën e dinë për mik, mund të njohë së shpejti Kosovën. Atë se ky shqetësim ishte i pabazë e tregoi edhe Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, i cili gjatë vizitës që bëri në Serbi tha se nuk kanë për ta ndryshuar qëndrimin e tyre në lidhje me Kosovën. Beogradi i është mirënjohës Athinës për këtë, vetëm se ra në sy fakti që kohët e fundit Beogradi ka filluar ti drejtohet Maqedonisë, vend me të cilin Greqia ka probleme me emrin, në formën që do të preferonte Athina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM).

Vizita Ciprasit në Beograd përkoi me 150-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Greqisë dhe Serbisë. Në këtë kontekst, është e mundur të thuhet se vizita e Ciprasit në Beograd bart edhe një domethënie simbolike dhe i ngarkon një kuptim partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve. Si Athina, ashtu edhe Beogradi janë për hedhjen e hapave konkretë në marrëdhëniet dypalëshe, sidomos në fushën ekonomike. Por të ndodhur brenda vështirësive aktuale ekonomike, as Athina, dhe as Beogradi nuk janë në gjendje të ndërmarrin projekte të mëdha ekonomike.

Mund të thuhet se Greqia që prej shumë vitesh i ka kushtuar vëmendje të veçantë përmirësimit të infrastrukturës në Ballkan, sidomos infrastrukturës së transportit në rajon, pasi Greqia është një vend i rëndësishëm në aspektin e sigurimit të lidhjes tokësore me vendet e Evropës Qendrore dhe vendet e tjera të BE-së. Nga deklarata e kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç kuptohet që Greqia është e interesuar të marrë pjesë në Procesin e Berlinit, i cili është duke punuar për të zhvilluar infrastrukturën e transportit dhe të energjisë në Ballkanin Perëndimor me projekte të mëdha rajonale. Procesi i Berlinit mund të ndihmojë edhe Greqinë për të forcuar lidhjet e saj me BE-në. Athina, e cila bën përpjekje për të qenë e përfshirë në proceset vendimmarrëse të Procesit të Berlinit, synon që projektet infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor ti orientojë në mënyrë të tillë që tu shërbejnë edhe interesave të Greqisë.

Në përgjithësi, Greqia përveç se e shikon Serbinë me syrin e një vendi vëlla, ajo u kushton rëndësi marrëdhënieve me Beogradin edhe për shkak të interesave të saj ekonomike. Pasi po të shikojmë, vëmë re një diçka të vërtetë, që Greqia është investitori i tretë më i madh i huaj në Serbi. Vëllimi tregtar ndërmjet dy vendeve është rreth 380 milionë euro. Nga ana tjetër, bregdeti grek ka qenë gjithmonë një destinacion i preferuar turistik për serbët.

/trtshqip/

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

Shekulli Agency