Asnjanës ndaj të gjithëve apo ndalues ndaj njërit?

iljasa-salihu

Shkruan: Iljasa Salihu

Ka dallim të madh të jesh neutral (asnjanës) ndaj feve dhe ndalues ndaj një feje të caktuar. Në Shqipëri ka rrugë publike që mbajnë emrin Papa Gjon Pali II. Vizita e Papës së tanishëm u mbulua me shpenzime shtetërore. Kurse, së fundmi u përurua  përmendorja e Papa Franceskut të gjallë me shpenzime dhe protagonist shtetërorë. Në Maqedoni, kryqet e larta dhe kishat e shumta financohen dhe mirëmbahen prej buxhetit shtetëror. Po ashtu, kandidati për president fushatën e tij politike e filloi me lutje në kishë. Në Kosovë, lopatën e parë për ndërtimin e katedrales e hodhi presidenti i vendit dhe fotografitë e figurave të larta fetare katolike mbahen nëpër zyre të institucioneve shtetërore.

Sidoqoftë, nuk jam kundër këtyre veprimeve nëse vërtetë bëhen përnjëmend dhe jo për inat të dikujt tjetër. Më mirë një besimtar i cilësdo fe se sa një kundërshtar i feve dhe i Zotit. Besimtari e kupton më mirë besimtarin, pavarësisht përkatësive të tyre fetare. Po të isha një pronar i ndonjë ndërmarrje të madhe, me kënaqësi do t’i përgjigjesha edhe kërkesave fetare të krishterëve, ashtu siç do t’i përgjigjesha kërkesave tjera të drejta që përkojnë me shëndetin, qetësinë dhe nevojat tjera të punëtorëve, kuptohet duke mos e cenuar mbarëvajtjen e punës. Fundja, kjo sjellje përpos që është në të mirë të punëtorëve, është edhe në të mirë të ndërmarrjes. Nuk mund të kesh sukses në ndërmarrje nëse punëtorët i trajton si skllevër. Duhet ditur se nuk ka punëtorë pa kërkesa tjera që drejtpërdrejt nuk përkojnë me punën, por si të tilla duhet të plotësohen prej anës së punëdhënësit. Punëtorin duhet ta trajtosh mirë nëse dëshiron që ai të ndihet si në ndërmarrjen e tij. Përndryshe, mendësitë skllavopronare kanë pasur bumin e tyre ekonomik në kurriz të qindra dhe mijërave viktimave, por edhe bumin e tyre të shkatërrimit, që është shoqëruar me rrënim të sistemit dhe lindje të kaosit.

Megjithëkëtë, ajo që më shqetëson është anësia e shtetit në trojet tona, ngaqë perëndimi është shumë hapa përpara nesh edhe në këtë aspekt. Pse e gjithë kjo zhurmë kur është në pyetje ndonjë kërkesë e thjeshtë dhe fare pa pasoja për të tjerët e muslimanëve? Pse laicizmi të zbatohet pikërisht ndaj fesë që nuk ishte shkaku i lindjes së konceptit të laicizmit? Pse kjo fe t’i vuaj dhe të jetë pasojë e interpretimeve të laicizmit? Të paktën edhe ndaj muslimanëve le të jetë shteti asnjanës për sa i përket kërkesave fetare dhe me këtë punë le të merren institucionet e Bashkësive Islame.

Përndryshe, le të mos e mashtrojmë veten se shqiptarët janë të shquar për tolerancë dhe harmoni ndërfetare. Ende vajzat me mbulesë përjashtohen prej shkolle. Ende një dhomë e vogël për lutje në ndonjë fakultet që xhamitë gjeografikisht i ka shumë larg, pandehet si gjenocid ndaj laicizmit. Ende ekziston bindja dhe praktika se vetëm me pantallona të tejngushta dhe me minifund mund ta meritosh një punë të mirë në institucionet private dhe shtetërore, paçka se kjo lloj veshje bie ndesh edhe me natyrën e gjinive dhe si e tillë nuk është e shëndetshme për ndjenjat e tjetrit.

Nuk mund të kemi harmoni të shëndoshë dhe të përnjëmend, kur shteti ndaj dikujt është nënë e ndaj dikujt tjetër njerkë, edhe pse si njëri ashtu edhe tjetri është tatimpagues i shtetit, madje kërkesave normale u kundërpërgjigjen me cilësime dhe akuza tejet të rënda, si fjala vjen nëse sot një musliman kërkon që një e drejtë e tij fetare të respektohet, atë menjëherë do ta quajnë ISIS, kur dihet mirëfilli se pikërisht muslimanët dhe imazhi i Islamit janë viktima të këtij përbindëshi, që vetëm dashakeqët e njerëzimit me aq qetësi dhe papërgjegjshmëri e krijuan.

Shekulli Agency