Ali Ahmeti: rastet kur si politikan ka bërë dhe “hoxhën e katundit”

ahmeti-56443Nga Mensur Krasniqi

Ditë më parë, analisti i njohur Kim Mehmeti, reagoi me anë të një komenti kundër një spekulimi që kinse ai paska folur kundër Islamit, duke potencuar faktin se është Ali Ahmeti, kreu i BDI-së, ai që ka luajtur me ndenjat e myslimanëve gjatë ligjërimeve të tij politike, e jo ai. Këtë mesazh, Mehmeti e përcolli për të gjitha ato media shqipfolëse në Maqedoni, të cilat, sipas tij, po mbajnë kahjen e pushtetit duke zgjedhur të bëjnë spekullime të rëndomta, duke nxjerr jashtë kontekstit deklarime të tij, që në fakt janë në mbrojtje të Islamit e myslimanëve e assesi kundër tyre.

Dhe në fakt, elementi i ‘provokacionit fetar”, ka qenë gjithnjë i pranishëm në ligjërimin politikës në Maqedoni, kryesisht asaj shqiptare, pasi popullata e atyshme është shumë e ndjeshme ndaj aspekteve të besimit, që është dhe një element i fortë identitar. Dhe ne, sa për kujtesë të opinionit, po sjellim disa precedentë të këtij ligjërimi, që i përkasin më së shumti Ali Ahmetit.

Paraprakisht duhet thënë se baza ideologjike e UÇK-së, tej “arsyeve atdhetare”, nuk pikëtakohet me besimin. Ajo është një përzierje nacionalisto-ateiste, që në rrethana konflikti nuk vihet re, por që më pas, në kushte politike, nxjerr krye me falsitetin e vet. Dhe nuk është krejt rastësi që UÇK-ja nën drejtimin e Ali Ahmetit, e kishte bazën në Shipkovicë, atje ku Enverin e gjen me shumicë dhe jo vetëm me anë të librave të tij!

Dhe për t’ju rikthyer çështjes së ligjërimit ahmetist me elementë ngacmues fetarë, kujtojmë që deklarata më e bujshme e tij ishte në fushatën elektorale të vitit 2013-të, kur para mbështetësve të tij, bëri “hoxhën e katundit” me këto fjalë:

“Iku njëri për atë botë, dhe në ditën e gjykimit kërkonte të shkoj në xhenet (parajsë), dhe e pyetën engjujt: Ç’ke bërë ti që duhet të shkosh në parajsë? Ai tha: unë kam falur 5 vakte namaz, unë kam mbajtur ramazan, unë kam qenë në haxh. Meleku i’a ktheu: o zotëri këto i ke bë për vete, po çka ke bë ti që të ta shohin hajrin (dobinë) të tjerët. Atëherë ai tha unë s’kam bërë gjë që t’ma shohin hajrin të tjerët. E nëse s’ke bë gjë hy pra te katrani e digju”.

Dhe një pjesë e shqiptarëve, ata me më shumë ndjeshmëri fetare, u irrituan keq nga ky deklarim, që për hir të së vërtetës, ka dhe ca gjysëm të vërteta; por që të thëna nga Ali Ahmeti, me pasaktësi teologjike, dhe për më tepër abuziviste në emër të interesit politik, u konsideruan si tallje, madje si barcoleta.

Dje më e fundit ishte ajo ku Ali Ahmeti mbronte qëndrimin e tij se nuk lejon ndryshimin e 24 prillit si datë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me ndonjë nga datat e qershorit, meqë pikërisht në këtë muaj myslimanët janë të angazhuar me agjërimin e muajit të Ramazanit.

“Sigurisht që ne nuk mund të pranojmë një datë të re, sepse pjesa dërmuese e elektoratit tonë, dhe ne vet Bashkimi Demokratik për Integrim, i përkasim një komuniteti që respektojmë agjërimin, kështu që argumentet tona ne i kemi paraqitur në rrugë shumë të arsyeshme, se pse zgjedhjet duhet mbajtur më 24 prill, datë e dakorduar nga të gjitha palët dhe e arsyetuar”, tha kreu i BDI-së, deklarata e të cilit sërish u trajtua si spekulative, pasi ai vetë nuk njihet si njeri fetar. Edhe në këtë rast, një pjesë e opinionit i ndje i fyer, duke e marrë këtë deklarim si lojë më ndenjat fetare.

Në një prononcim tjetër, Ali Ahmetit i doli punë edhe me besimtarët myslimanë që mbajnë mjekër në respekt të një këshille dhe tradite profetike. Përveç kësaj, ai hapi dilemën se mos vallë është trashëgimtar i ndonjë familjeje të fortë besimtarësh, apo se mos dhe vetë ai është një besimtar i rregullt, kur tha se: “Nëse dua të falem, falem pas riteve që m’i kanë lënë të parët e mij, por Zoti nuk ka nevojë për leshrat as për fustanellat e bardha, dhe në xhenet nuk shkohet as me mjekër as me fustanella, por në xhenet shkohet me zemër të bardhë, me lutje dhe punë të mira që i bën për të tjerët”, u shpreh Ahmeti.

Një herë tjetër, duke dashur të thumbojë oponentin e tij politik, ai iu qas sërish termave kur’anore, duke thënë: “Mos gënje se prap do të dalësh te ura e Siratit, populli njëherë të beson po për së dyti nuk mund t’ia hedhësh”.

Ajo që duket qartë në të gjithë këto deklarime, është marrja prej Ahmetit në konsideratë e faktit se vota e shqiptarëve vjen dhe nga indicie të forta fetare. Por nuk ka deri më sot një sondazh që të tregojë sesa vota ka fituar apo humbur në popullatë prej tyre. Në nivel perceptimi, vota për të shkon më tepër për rrethana politike të sajuara në atë mënyrë ku ai del paradoksalisht fitues, sesa për atdhetarinë apo besimin e tij.

/tesheshi.com/

Shekulli Agency