A mund të përparojë agjenda shqiptare në Maqedoni?

Ndoshta më shumë se për meritë të LSDM-së, gjashtë mandatet e shqiptarëve janë humbur për faj të partive shqiptare. Sigurisht për faj të partive të vjetra, që në 14 vitet pas luftës në Maqedoni nuk kanë arritur kurrë t’i përmirësojnë kushtet politike e ekonomike të shqiptarëve në Maqedoni, edhe pse lufta i nxori në pozitë të favorshme. Madje, as kushtet modeste të përshkruara në ”Marrëveshjen e Ohrit” këto parti të vjetra nuk kanë arritur t’i garantojnë.

Shkruan: Arbër ZAIMI

Demokracia elektorale rrallë prodhon mrekulli, kështu që ata që presin të tilla do të mbeten të zhgënjyer nga rezultatet në zgjedhjet e dhjetorit 2016 në Maqedoni. Megjithatë, këto zgjedhje lënë vend për analizë, pasi e paraqesin sado kudo një perspektivë për ndryshim.

Në krahun e partive tradicionalisht maqedonase, mandatet e deputetëve kanë shkuar sërish për VMRO-në e Gruevskit dhe për LSDM-në e Zaevit, por kësaj radhe diferenca e tyre është shumë më e vogël. VMRO-ja i ka marrë 9 mandate më pak se herën e shkuar dhe ka përfunduar me 51 mandate, ndërsa LSDM-ja ka një rritje impresive me 15 mandate, në total 49, pra vetëm dy mandate më pak se VMRO-ja. Në total dy partitë maqedonase kanë marrë gjashtë mandate më shumë se në zgjedhjet e shkuara. Në zgjedhjet e shkuara Parlamenti i Maqedonisë i ka pasur 123 vende, prej të cilave 96 kanë qenë të partive maqedonase, pra 76,4%, ndërsa kësaj radhe në një parlament më të vogël (120 vende), dy partitë maqedonase i kanë 100 prej tyre, do të thotë 83.3%. Rritja e përfaqësimit të tyre, marrë së bashku, është 7% e totalit. Kjo është edhe përqindja e zvogëlimit të peshës specifike të partive shqiptare, marrë së bashku, gjashtë mandate më pak. Por, rënia, krahasuar me veten, është edhe më e madhe, sepse gjashtë mandatet e humbura janë 27% e mandateve që më parë mbanin shqiptarët. Përse ka ndodhur kjo?

Së pari duhet të shohim se mandatet tek shqiptarët i kanë humbur BDI (9) e PDSH (5), ndërsa te maqedonasit rritjen e ka prodhuar LSDM-ja, e cila nuk i ka marrë vetëm 9 mandatet, që i ka humbur VMRO-ja, por i ka marrë edhe gjashtë prej mandateve të humbura nga BDI-ja e PDSH-ja. Këto mandate, po të vijonte inercia e logjikës elektorale në Maqedoni që në të shkuarën ka qenë përgjithësisht etnike, do të duhej të përfundonin tek partitë e reja shqiptare, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët. Mirëpo, këto dy subjekte nuk kanë arritur t’i marrin të gjitha votat e shqiptarëve që kanë vendosur të mos votojnë më për BDI-në e PDSH-në. Pse? Si u bë LSDM-ja më tërheqëse për shqiptarët sesa subjektet e reja shqiptare?

LSDM ka përfituar nga fakti se retorika opozitare në Maqedoni, pavarësisht etnisë, vitet e fundit është përqendruar te figura e Gruevskit dhe rrethi i tij i ngushtë, duke e portretizuar atë si epiqendër të korrupsionit, racizmit, proserbizmit e prorusizmit, si dhe si partizan të neoliberalizmit në atë vend. Ndërsa këto janë të gjitha të vërteta, ku më shumë e ku më pak, andaj përqendrimi i kritikave në një person a në një klikë e pamundëson kritikën strukturore ose ideologjike të spektrit politik në Maqedoni, problemet e të cilit janë edhe më të gjera edhe më të thella. Sidoqoftë, ajo kritikë mund e duhet të bëhet në një hapësirë tjetër. Në këtë shkrim po mjaftohemi të themi se një pjesë jo e vogël e votuesve shqiptarë, 27% e tyre, kanë menduar se nëse Gruevski është e keqja e madhe për ta, siç kanë theksuar pa u ndalur partitë e reja shqiptare, atëherë opsioni i vetëm real për ta rrëzuar atë është vota për Zaevin. Sepse, LSDM-ja është partia e vetme që mund ta lërë Gruevskin në vend të dytë, ndryshe nga partitë e reja (apo të vjetra) shqiptare, të cilat në fakt nuk mund ta synojnë realisht këtë rezultat elektoral.

Dikush mund të argumentojë edhe se vota e shqiptarëve për LSDM-në ka të bëjë sado pak me programin disi më socialdemokrat të kësaj partie. Shqiptarët për arsye të ditura strukturore e politike jetojnë në zonat më të varfra të Maqedonisë, ndaj në aspektin klasor janë potencialisht në nevojë për programe politike më sociale. Ndoshta, për LSDM-në kanë dhënë efekt edhe thirrjet që ajo u ka bërë shqiptarëve, duke bërë fushatë hera-herës edhe shqip. Kjo prirje tej-etnike ka filluar që në zgjedhjet presidenciale të 2014, ku kandidati nga LSDM, Pendarovski, po ashtu është përpjekur t’i qasej elektoratit shqiptar në shqip.

Megjithatë, këto përgjigje janë vetëm të pjesshme. Sigurisht që përqendrimi i “së keqes” tek Gruevski bën të mundur një lloj “shpëlarje” të imazhit të LSDM-së, duke harruar faktin se edhe kjo parti e ka një trashëgimi të diskriminimit etnik (kujtoni Cërvenkovskin dhe njerëzit përreth tij), ndërkohë që, sigurisht se nuk është imune as ndaj korrupsionit. Programet sociale të LSDM-së janë vetëm kozmetike dhe nuk dihet se cila është oferta konkrete ekonomike-sociale e LSDM-së për shqiptarët, ndërsa sa i përket ndonjë fjalimi tek-tuk në shqip ose promovimit të ndonjë figure shqiptare në një parti kryesisht maqedonase, kjo është tepër simbolike në një vend me histori të gjatë e të komplikuar problemesh ndëretnike e diskriminimi.

Ndoshta më shumë se për meritë të LSDM-së, gjashtë mandatet e shqiptarëve janë humbur për faj të partive shqiptare. Sigurisht për faj të partive të vjetra, që në 14 vitet pas luftës në Maqedoni nuk kanë arritur kurrë t’i përmirësojnë kushtet politike e ekonomike të shqiptarëve në Maqedoni, edhe pse lufta i nxori në pozitë të favorshme. Madje, as kushtet modeste të përshkruara në “Marrëveshjen e Ohrit” këto parti të vjetra nuk kanë arritur t’i garantojnë. Por, mandatet janë humbur edhe për faj të partive të reja, të cilat nuk kanë arritur të krijojnë përfytyrimin e një subjekti që do të ishte vendimtar ose, siç i thonë, ”king-maker” kur të vinte koha për të krijuar qeveri. Këmbëngulja e Lëvizjes Besa dhe e Aleancës për Shqiptarët që të mos bëjnë një marrëveshje parazgjedhore, mund të ketë ndikuar në uljen e pritshmërive për disa votues shqiptarë, të cilët më pas i janë drejtuar votës për LSDM-në. Po ashtu për t’u përmendur është edhe mungesa e një programi të qartë social tek këto parti shqiptare. Këmbëngulja e tyre për të qenë “subjekte të djathta” është në kontradiktë të drejtpërdrejtë me varfërinë ekonomike e problemet sociale të shqiptarëve në Maqedoni.

Megjithatë, pozita e shqiptarëve pas këtyre zgjedhjeve do të mund të ishte më optimiste nëse partitë shqiptare do të binin dakord për një sërë kushtesh bazike, të cilat – sipas mendimit tim – duhet të nxirren jashtë pazareve për pushtet dhe jashtë çdo diskutimi të politikës së ditës.

Përpjekjet e Edi Ramës apo të Albin Kurtit për të ftuar subjektet shqiptare në një platformë të përbashkët duket se nuk kanë pasur ende sukses. Megjithatë, do të ishte në të mirë të shqiptarëve të Maqedonisë, madje edhe të vetë subjekteve politike shqiptare, që të gjendej dakordësi për disa pika, të cilat prej aty e tutje nuk do të ishin më të përdorshme për pazare politike.

Këto pika do të mund të përfshinin njohjen kushtetuese si gjuhë e barabartë dhe e barasvlershme të gjuhës shqipe (jo të komunitetit mbi 20%, siç thuhet aktualisht në dokumentet ligjore të Maqedonisë), në të gjithë territorin e saj. Po ashtu, do të mund të përfshihej tek ato kushte një organizim i ri administrativ-elektoral, që nuk i dënon shqiptarët në përfaqësim politik, por as në shpërndarje të investimeve, buxhetit dhe infrastrukturës. Kusht tjetër i rëndësishëm do të ishte integrimi kulturor-arsimor i komuniteteve shqiptare të Maqedonisë me Kosovën e Shqipërinë, duke njësuar programet e duke rritur interaksionin e politikave të kësaj sfere. Po ashtu, kusht do të mund të ishte shqyrtimi transparent, i drejtë e i pavarur i rasteve gjyqësore me ndjeshmëri të lartë, prej rastit ”Monstra” e deri tek rasti ”Kumanova”.

Një dokument fillestar, ku subjektet shqiptare do të mund të binin dakord për disa kushte të tilla, do t’i bënte të detyrueshme ato kushte për secilën qeveri që do të mund të krijohej, pavarësisht se nga kush. Shqiptarët do ta jepnin mbështetjen e tyre për krijimin e asaj qeverie vetëm pasi të miratoheshin këto kushte në kuvend, pra këto kushte do të duhet të ishin premisa e jo pritshmëria e asaj qeverie. E më pas, pasi të arrihej ky rezultat kaq i domosdoshëm për shqiptarët, do të mund të vazhdonte politika e ditës, me akuzat e ndërsjella e me mospajtimet e zakonshme mes subjekteve që sigurisht do të mund të ndiqnin agjendat vetjake.

Sepse nuk ka kuptim që, edhe pse janë të domosdoshëm për të qeverisur, shqiptarët të vazhdojnë të jenë kaq haptazi të diskriminuar në Maqedoni. Sigurisht që ka fajtorë historikë pse situata është kështu, të cilët nuk i kanë shfrytëzuar rastet në të shkuarën, ama në të tashmen nuk duhet ndalur së kërkuari shfrytëzim të rasteve që paraqiten sërish, e jo të justifikohet duke thënë se “meqë s’e kanë bërë në të shkuarën, përse duhet ta bëjnë tash?”. Për sa kohë që nuk ekziston në perspektivë ndonjë ndryshim i subjekteve maqedonase e për sa kohë që elektorati shqiptar do të vazhdojë të jetë i fraksionuar, nuk mbetet zgjidhje tjetër për avancimin e agjendës shqiptare në Maqedoni, përveç një mirëkuptimi mbipartiak të subjekteve shqiptare.

Shekulli Agency