Vritet nga policia autori i vrasjes së komandantit të FNSH në Shkodër

Burimet zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se autori i krimit Ruzhdi Aishta përgjatë natës në mënyre të vazhdueshme ka hapur zjarr në drejtim të forcave të policisë që e mbanin të rrethuar

333-shkoder-kgjForca të shumta policie gjatë gjithë natës kanë mbajtur të rrethuar banesën ku qëndronte autori i vrasjes së komandantit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, ndërsa është ekzekutuar në orët e mëngjesit të së dielës.

Burimet zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se autori i krimit Ruzhdi Aishta përgjatë natës në mënyre të vazhdueshme ka hapur zjarr në drejtim të forcave të policisë që e mbanin të rrethuar.

Forcat RENEA kanë përdorur gaz lotsjellës, duke i bërë thirrje të vazhdueshme që të dorëzohet, por ai është kundërpërgjigjur duke qëlluar në drejtim të tyre.

“Në orën 07 e 10 minuta në kushtet e ndriçimit të plotë efektivat e RENEA-s i kanë bërë përsëri thirrje të dorëzohet, por autori nuk është përgjigjur dhe më pas kanë ndërhyrë në banesë . Në momentin e ndërhyrjes autori i krimit ishte fshehur në aneks të banesës dhe ka hapur zjarr me breshëri ndaj forcave RENEA. Efektivat i janë kundërpërgjigjur ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrare autori i krimit”- thuhet në reagimin zyrtar të Policisë së Shtetit lidhur me këtë ngjarje.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Shkodër, ku është qëlluar për vdekje një komandanti i grupit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, Simon Gjeta.

Policia fillimisht ishte vënë në ndjekje të autorit që plagosjes së një 21 vjeçari në Shkodër, ku  autori i plagosjes, Ruzhdi Aishta ka hapur zjarr ndaj policisë. Si pasojë e hapjes së zjarrit është plagosur fillimisht rëndë dhe me pas ka humbur jetën në Spital oficeri i lartë i policisë, Simon Gjeta.

Më pas Policia në qytetin verior ka nisur një operacion për të arrestuar autorin e kësaj ngjarje të rëndë. Burimet zyrtare nga Policia konfirmojnë se në operacion janë angazhuar 250 forca policore, 15 automjete ndër to 5 të blinduara.

Shekulli Agency