Tusk: “Përgjegjës janë edhe ata që mbështesin regjimin sirian”

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk, duke theksuar se dënojnë sulmin me armë kimike që ka shkaktuar vdekjen e një numri të madh të civilëve në Siri, tha se përgjegjësi më i madh është regjimi i Sirisë, raporton (AA).

Donald Tusk i cili ndodhet në Athinë në kuadër të një vizite është takuar me kryeministrin grek, Alexis Tsipras, ku dhe kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp.

Duke u shprehur se çdo ditë i afrohen edhe më shumë marrëveshjes në negociatat e paketës së shpëtimit mes Greqisë dhe kreditorëve ndërkombëtarë, Tusk tha se “Është shënuar një përparim i rëndësishëm në bisedimet e Greqisë të kryera ditën e djeshme. Gjithashtu edhe ditën e sotme do të vazhdojnë bisedimet. Shpresojmë që ditën e premte të arrihet një marrëveshje në takimin e Eurogrupit”.

Ndër të tjera pasi ka vënë në dukje se në Greqi janë shënuar zhvillime të rëndësishme në fushat si ajo e turizmit, punësimit dhe kundër evazion fiskal, Tusk ka shtuar se me reformat e masave shtrënguese nuk kanë qëllim ndëshkimin e popullit, dhe se institucionet dhe populli i Greqisë ka vuajtur mjaftueshëm duke treguar sakrifica të rëndësishme.

Tusk ka theksuar se pjesa më e vështirë në krizën e refugjatëve ka mbetur prapa duke shtuar më tej se “BE-ja është plotësisht e sigurtë për çështjen se mund të rikthejë sirianët në Turqi. Në çështjen e refugjatëve sirianë Turqia e ka treguar veten e saj në çështjen e mbrojtjes së refugjatëve sirianë dhe Evropa po tregon përpjekje të mëdha që ato të jenë atje nën kujdes.”

“Një rikujtesë tragjike e brutalitetit të regjimit sirian”

Pasi ka theksuar se dënojnë në mënyrën më të ashpër sulmin me armë kimike që ka shkaktuar vdekjen e një numri të madh të civilëve në qytetin Idlib të Sirisë, Tusk është shprehur:

“Vrasja me armë kimike e njerëzve pa dallim, fëmijë, gra dhe burra është një rikujtesë tragjike e brutalitetit të këtij konflikti dhe të regjimit sirian. Nuk është hera e parë që vërehet një sulm i këtij lloji në Siri. Ata që kanë kryer këtë sulm duhet të përgjigjen. Përgjegjësi më i madh i kësaj tiranie është regjimi i Sirisë. Gjithashtu kanë përgjegjësi morale dhe politike edhe ata që mbështesin regjimin”.

“Nuk luajmë lojë fëmijësh”

Ndërsa kryeministri Tsipras në lidhje me negociatat mes Greqisë dhe kreditorëve ka theksuar: “Sa herë që i afrohemi një marrëveshjeje me zyrtarët, dikush i cili shkel marrëveshjet sjell në tryezë kërkesa shtesë. Ne marrim pjesë në negociata gjithmonë me qëllimin e mirë. Por vazhdimisht ka pengesa teknike. Nuk luajmë lojë fëmijësh. Nëse nuk del ‘tym i bardhë’ nga takimi ditën e premte i kam kërkuar presidentit Tusk që duke marrë iniciativën të mbledhë Samitin e Liderëve të BE-së”.

Tsipras ka shtuar më tej se nuk kanë ndërmend të qëndrojnë spektator në lojërat që po luhen sipas tij kundër popullit të Greqisë dhe Evropës dhe se shpresojnë që deri në fund të muajit prill të arrihet në marrëveshje në lidhje me vendimet për lehtësimin e borxhit të vendit të tij.

Shekulli Agency