Turqi, FETO akuzohet për mashtrim të studentëve për të transferuar para

Një gjykatë vendase në Turqi ka paditur disa të dyshuar të martën për përdorimin e llogarive bankare të studentëve për të transferuar para për anëtarë të lartë të organizatës terroriste FETO, që orkestruan puçin e dështuar të korrikut të kaluar, raporton (AA).

Gjykata e Rëndë Penale në provincën Batman ka pranuar aktakuzën e Kryeprokurorisë Publike të kësaj province për 79 të dyshuar, prej të cilëve 68 në paraburgim, ku përfshihet një deklaratë nga një student universitar i cili ishte “përgjegjës për studentët e qarkut” që jetonin në shtëpitë e drejtuara nga FETO.

Në deklaratën e tij, studenti, i cili ka mbetur anonim për shkaqe të sigurisë, ka thënë se u ka kërkuar studentëve që jetonin në shtëpitë e FETO-s të hapin llogari bankare në emrat e tyre.

Kartat bankare nga këto llogari janë përdorur më vonë nga anëtarët e FETO-s për të marrë paga nga organizata, ka thënë ai.

Studenti në deklaratë ka folur edhe për një anëtar tjetër me emrin e koduar “Burak”, i cili i ka marrë studentët në bankë dhe ka mbledhur kartat e tyre bankare. “Ka pasur të tjerë me emra të koduar Muhammed dhe Omer që i sollën studentët në bankë”, ka thënë ai.

Bilanci në këto llogari nuk tejkalonte kurrë 3.000-4.000 lira turke (850-1.134 dollarë) në muaj, për të parandaluar vëmendjen e tepërt.

Llogaritë janë hapur në Bankën Asya, një bankë pjesëmarrëse e lidhur me kreun e organizatës terroriste FETO, Fetullah Gulen.

Licenca bankare e Bankës Asja u anulua më 22 korrik 2016, shtatë ditë pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit, nga Agjencia Turke për Rregullimin dhe Mbikëqyrjen Bankare (BDDK).

FETO orkestroi puçin e zmbrapsur të korrikut të vitit 2016, si pasojë e të cilit humbën jetën 250 njerëz, kurse rreth 2.200 të tjerë ngelën të plagosur.

Shekulli Agency