Turqi, bashkim emocional i fëmijës së plagosur në Siri me familjen

Muhamed Abdulkerim Ubeid, një djalë 11-vjeçar nga Siria, i plagosur rëndë në një sulm ajror nga regjimi i Bashar al-Asadit në Idlib të Sirisë, është transferuar në Turqi për trajtim, ku ai përsëri u takua me familjen e tij, ndërsa emocionet e këtij bashkimi u kapën edhe nga kamera e Anadolu Agency.

Djaloshi sirian u plagos rëndë ndërsa po luante në park dhe pas trajtimit në Siri, ai u shtrua në spital në Turqi.

Familja e tij, e cila në sulmin e njëjtë humbi djalin 10-vjeçar Abdulhamid Ubeid, nuk e dinte se ku ishte djali i tyre i madh Muhamedi.

Pas përhapjes së një videoje në median sociale në të cilën u shfaq Muhamedi duke kërkuar familjen e tij, autoritetet turke ndihmuan që fëmija të dërgohej në Turqi për trajtim, ku ai përsëri u takua me nënën, babanë dhe vëllezërit e tij.

Nëna Emine Shehad, babai Abdulkerim Ahmed Ubeid dhe vëllezërit nuk mundën t’i mbajnë dot lotët pas takimit me djalin, për të cilin nuk kishin marrë lajm për 18 ditë.

Babai Abdulkerim tha për AA se kur kishte ndodhur sulmi, ai ishte në qytetin Sarmada, duke shtuar se pasi ishte kthyer në shtëpi ai kishte nxjerrë nga rrënojat njërin fëmijë, kurse djali tjetër ishte plagosur rëndë dhe ishte dërguar në spital.

Megjithatë, pasi varrosi djalin e tij të vogël, ai shkoi në spital, por nuk e gjeti Muhamedin atje.

Ubeid tha se djali i tij humbi shikimin dhe njërin krah dhe pësoi djegie në trupin e tij si pasojë e sulmit.

Përfaqësuesi i Fondacionit Humanitar IHH, Selim Tosun, tha se Muhamedi ishte dërguar në Turqi për trajtim sepse ishte në gjendje të rëndë.

Ai tha se kishin vendosur të ndihmojnë në bashkimin e familjes sapo kishin marrë vesh në lidhje me videon në të cilën ai kërkonte familjen, duke shtuar se ndihet i lumtur që ata më në fund arritën të ribashkohen.

Shekulli Agency