Trump propozon dënim më të lartë për shitësit e drogës

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump tha se problemi i drogës në shtetin e tij nuk mund të zgjidhjet kurrë pa treguar forcë dhe vendosmëri, duke shtuar se shitësve të drogës duhet t’u jepet dënimi më i madh.

Në një mbledhje të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë me temën “Epidemia e opiumit”, hapjen e së cilës e bëri Zonja e parë e SHBA-ve, Melania Trump, presidenti amerikan mbajti një fjalim me ç’rast theksoi se shumica e shitësve të drogës të cilët vrasin qindra persona nuk hyjnë as në burgje.

“Nëse e vritni një person ju dënoheni me burgim të përjetshëm apo me dënim me vdekje. Ndërsa nuk po ndodh asgjë me këta persona të cilët mund të vrasin 2.000, 3.000 persona. Disa shtete kanë dënime shumë strikte, dënimin më të lartë. Meqë ra fjala, në këto vende ka probleme shumë më të vogla me drogën. Pra, edhe ne do të jemi më të ashpër ndaj çështjes së dënimeve”, tha Trump.

Ai edhe më parë ka potencuar nevojën për dhënien e dënimit me vdekje ndaj shitësve të drogës, duke shtuar se e di zgjidhjen por që dyshon se shteti nuk është ende i gatshëm për këtë.

Melania Trump tha se shumë persona i humbasin të dashurit e tyre si pasojë e drogës. “Duhet ta ndryshojmë këtë”, porositi ajo.

Sipas Qendrës së Kontrollit dhe të Parandalimit të Sëmundjeve në SHBA, 42 mijë persona e kanë humbur jetën në vitin 2016 për shkak të opiumit, heroinës dhe fentanilit.

Shekulli Agency