
Presidenti i SHBA-së Donald Trump po shqyrton mundësinë e shtimit të Türkiyes në agjendën e tij të turneut në Lindjen e Mesme muajin e ardhshëm, raportoi sot CNN Arabic, transmeton Anadolu.
Vizita e mundshme do të vijë pas ndalesave në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe dy burimeve të njohura me planin që kanë folur për CNN.
Nuk është marrë asnjë vendim dhe detajet janë duke u finalizuar, kanë thënë burimet.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i ka thënë kanalit të lajmeve se Trump ka diskutuar vizitën gjatë bisedës së fundit telefonike me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.
Sipas burimeve, presidenti amerikan nuk planifikon të vizitojë Izraelin gjatë udhëtimit.
Shtëpia e Bardhë ende nuk i është përgjigjur një kërkese nga Anadolu për koment.
Trump është shprehur së fundmi pozitivisht për marrëdhënien e tij me Erdoğanin.
“Unë kam një marrëdhënie shumë, shumë të mirë me Türkiyen dhe me udhëheqësin e saj”, tha Trump në fillim të kësaj jave, duke folur pranë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.
Nëse vizita realizohet, ajo do të ishte udhëtimi i parë presidencial i Trumpit në Türkiye. Më parë, George W. Bush vizitoi vendin në vitin 2004, ndërsa Barack Obama bëri udhëtime në vend në vitet 2009 dhe 2015.