TIKA shpërndan ndihma në Maqedoninë e Veriut me rastin e Ramazanit

Agjensia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA) po shpërndan 3.500 pako me ndihma në Maqedoninë e Veriut me rastin e muajit të Ramazanit dhe për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton AA.

Shpërndarja e ndihmave bëhet në bashkëpunim me organizatat joqeveritare që janë anëtare të Lidhjes së Organizatave Turke të Shoqërisë Civile të Maqedonisë (MATUSITEB) dhe administratat lokale.

Sot shpërndarja e ndihmave u realizua në dy pika të ndryshme në Komunën e Shuto Orizarit në Shkup, ku në shumicë jetojnë pjesëtarë të komunitetit rom, ndërsa në shpërndarje morën pjesë koordinatori i TIKA-s në Shkup, Aytekin Ayden, ministri pa portofol në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për zbatimin e strategjisë për përmirësimin e gjendjes së romëve, Muzafer Bajram, deputeti Samka Ibraimovski, si dhe këshilltari i kryeministrit përgjegjës për romët, Nexhdet Mustafa.

Koordinatori TIKA-s në Shkup, Ayden, theksoi se agjencia turke filloi shpërndarjen e paketave me ndihma për shkak të COVID-19, pandemisë që ka goditur botën dhe Maqedoninë e Veriut, dhe se këto aktivitete i kanë vazhduar edhe gjatë muajit të Ramazanit.

Ayden tha se ekzistojnë grupe me disavantazhe të cilat janë prekur në masë të konsiderueshme si pasojë e pandemisë.

“Ne do të shpërndajmë 3.500 pako ushqimore në gjithë Maqedoninë e Veriut, me synimin për të arritur te të gjitha komunitetet që jetojnë këtu dhe për t’i mbështetur ata. Ditën që lamë pas filluam në Shtip, ndërsa sot po shpërndajmë ndihmë për 350 familje në Shutkë, në qendër të Shkupit, së bashku me vëllezërit tanë romë, për t’i tejkaluar këto vështirësi ekonomike”, tha Ayden.

Ai u shpreh se Turqia gjithnjë e ka mbështetur Maqedoninë e Veriut si vend mik.

“Natyrisht, me shpërndarjen e 3.500 pakove, ne do të kemi shpërndarë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut mbi 160 tonë produkte ushqimore përmes dy programeve të ndryshme, për të përfshirë gjithsej mbi 15 mijë anëtarë familjesh”, shtoi ai.

Ndërkaq, ministri pa portofol Bajram falënderoi Turqinë për pakot.

Ai tha se si ministër, tashmë ka parashtruar kërkesa të shumta për ndihmë në shumë institucione dhe kompani, por shtoi se përgjigja e vetme pozitive ka ardhur nga Turqia.

“Ne morëm përgjigjen e vetme pozitive nga vëllezërit turq. Siç e shihni, këtu ka 200 pako, të clat do të shpërndahen për personat në nevojë në Shtuto Orizari. E dini se romët janë persona që jetojnë nën rrezik social në vendin tonë. Andaj, unë dua ta falënderoj edhe një herë Turqinë. Shpresoj që në këto ditë Ramazani, këto ndihma të jenë në të mirë për qytetarët që jetojnë në Shuto Orizari”, theksoi ai.

Deputeti Ibraimovski po ashtu falënderoi TIKA-n dhe qytetarët romë.

Këshilltari Nexhdet Mustafa, tha se banorët romë do të gëzohen për këtë “bujari të madhe” të agjencisë turke.

Falënderime për TIKA-n shprehu edhe Severxhan Kurtishi, imami i Xhamisë Bilal Habesh, pika e dytë ku u bë shpërndarja e ndihmave.

“Allahu i shpërbleftë ata që ndanë nga pasuria e tyre dhe ndihmuan njerëzit këtu”, u shpreh Kurtishi.

Ndryshe, pakot e Ramazanit të TIKA-s do të shpërndahen në afër 100 vendbanime në mbarë vendin.

TIKA shpërndan ndihma në Maqedoninë e Veriut me rastin e Ramazanithttps://shekulliagency.com/lajme/tika-shperndan-ndihma-ne-maqedonine-e-veriut-me-rastin-e-ramazanit/

Gepostet von Shekulli am Donnerstag, 7. Mai 2020
Shekulli Agency