Tetovë, në shkollën e Fondacionit Maarif shënohet Dita e Arsimit në Gjuhën Turke

Në shkollën e Fondacionit Maarif të Turqisë (TMV) në Tetovë u organizua program festiv me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut, raporton AA.

Në program morën pjesë koordinatori i TMV-së për Ballkanin, Salih Sağır, drejtori i fondacionit për Maqedoninë e Veriut, Mustafa Dillioğlu, drejtori i Shkollës Maarif në Tetovë, Ali Sedat Aslan, drejtori i Institutit Yunus Emre në Shkup, Serhat Kula, nxënës, prindër dhe shumë të ftuar.

Në fjalën e tij, drejtori i shkollës, Aslan, tha se po shënohet dita më e rëndësishme për turqit që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

“Gjuha është një nga elementet më të rëndësishme që përcakton personalitetin e një individi. Sepse ne i shprehim ndjenjat dhe mendimet tona në gjuhën që mësojmë nga nënat tona. Mjeti ynë më i mirë i shprehjes është gjuha që mësojmë nga nëna. Pra, kjo është e drejta më themelore e njeriut. Nuk ka asgjë më të natyrshme sesa të flasësh gjuhën e nënës, me gjuhën e mëmëdheut”, tha Aslan.

Ai tha se janë njohur me poezitë në konkursin e poezisë të organizuar nga Instituti Yunus Emre në Shkup dhe Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATUSITEB) me rastin e 21 Dhjetorit, të Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke, duke shtuar se poezia që fitoi vendin e parë në konkurs është e rëndësishme për të kuptuar këto troje dhe turqit që jetojnë në këto troje.

Aslan përfundoi fjalën e tij duke lexuar poezinë “Turqishtja ime, amanet” nga poetja e re nga Gostivari, Esra Matyan.

Në kuadër të programit, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve për “Kontribuesit në Gjuhën Turke”. Ilyas Veliu, i cili ka qenë mësimdhënës për shumë vite, mori Çmimin e Mësimdhënësit Kontribues në Gjuhën Turke, kurse Mehmed Arif mori Çmimin e Shkrimtarit të Ri Kontribues në Gjuhën Turke.

Po ashtu, nxënësit e vlerësuar në konkursin e esve të organizuar nga Universiteti Ndërkombëtar Balllkanik (IBU), lexuan shkrimet e tyre.

Nxënësit e Shkollës Maarif në Tetovë realizuan një program që përbëhej nga poezi, shkrim, valle, këngë dhe mini-teatër.

Në program u shikua edhe një dokumentar për gjuhën turke dhe video në lidhje me nxënësit e shkollës fillore Maarif në Maqedoninë e Veriut.

21 Dhjetori, Dita e Arsimit në Gjuhën Turke

Komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut kishte fituar të drejtën e arsimit në gjuhën amtare më 21 dhjetor të vitit 1944 gjatë kohës së ish-Jugosllavisë. Pas pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, përmes një ndryshimi ligjor më 15 shkurt të vitit 2007, 21 dhjetori filloi të shënohet si Dita e Arsimit në Gjuhën Turke për komunitetin turk në vend.

Shekulli Agency