Tensione midis presidentit francez dhe policisë izraelite

Presidenti francez Emmanuel Macron është fjalosur me policinë izraelite gjatë vizitës së tij në kishën Saint Anne, e cila konsiderohet si territor franceze, në Kudsin Lindor të pushtuar nga Izraeli.

Në një video të përhapur në rrjetet sociale shihet se si Macron para kishës Saint Anne kërkon nga policia izraelite pranë tij të mos hyjë në kishë.

Macron thotë se të gjithë i dinë rregullat.

“Nuk më pëlqeu ajo që bëre para meje. Dil jashtë”, shprehet Macron duke iu drejtuar policisë izraelite.

Po ashtu, presidenti francez kërkon nga policia izraelite t’i respektojë rregullat dhe shton se “Nuk do të mund t’i ndryshojnë për mua rregullat që ekzistojnë me shekuj”.

Nga ana tjetër, media izraelite shkroi se tensionet ndodhën kur Macron dëshiroi të hyjë në kishën Saint Anne.

Presidenti i Francës vizitoi Izraelin për të marrë pjesë në Forumin e Pestë Botëror të Holokaustit dhe u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Shekulli Agency