Të paktën dhjetë civilë janë vrarë nga një sulm terrorist me autobombë në veri të Sirisë, raporton AA.
Sulmi është kryer në Al-Bab, qytet tashmë i kontrolluar nga opozita ushtarake në të cilin Turqia kishte realizuar operacionin “Mburoja e Eufratit”.
Sulmi po ashtu ka shkaktuar të paktën 30 civilë të plagosur, ndërsa thuhet se numri i viktimave mund të rritet.
Shumë automjete janë djegur si pasojë e shpërthimit, kurse dëme të mëdha kanë pësuar edhe ndërtesat përreth.
Në vendin e ngjarjes janë dërguar ekipet e Mbrojtjes Civile, të cilët bënë përpjekje për të shuar zjarrin që ka shpërthyer.
Forcat lokale të sigurisë janë duke zhvilluar hetim për gjetjen e autorëve të sulmit.
Ndryshe, organizata terroriste YPG/PKK, e cila është larguar nga rajoni i Afrinit pas operacionit antiterrorist turk “Dega e Ullirit”, vazhdon të mbajë nën okupim rajonin Tel Rifat në veriperëndim të qytetit Al-Bab dhe shpesh sulmon vendbanimet e kontrolluara nga Ushtria Kombëtare Siriane.