Shqipëria goditet nga një tërmet i fuqishëm

Shqipëria është goditur nga një tërmet i fuqishëm, i cili ka shkaktuar paraprakisht 1 person të vdekur, dhjetëra të plagosur dhe dëme materiale në disa qytete të vendit.

Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë tërmeti ishte me magnitude 6,4 ballë sipas shkallës rihter, ndërsa ky institucion ka konfirmuar se “një person ka humbur jetën në Kurbin pasi është hedhur nga banesa për shkak të panikut”.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Shqipërisë (IGJEUM), ka njoftuar se tërmeti kishte epiqendrën 15 kilometra larg nga qyteti i Durrësit me një thellësi prej 38 kilometrash.

Ministria Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë ka njoftuar se 150 të lënduar po marrin trajtim në spitale.

“Në të gjithë vendin, në Tiranë, Durrës dhe Krujë, sipas të dhënave paraprake 150 qytetarë po marrin shërbim në spitale. Ekipet mjekësore aktualisht është në gjendje gatishmërie të plotë si në Tiranë, Durrës dhe gjithë Shqipërinë”, thuhet në njoftim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes raportohet për dëme materiale, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe efektivët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë janë angazhuar për të ndihmuar banorët nën rrënoja.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka njoftuar se për të gjitha shkollat e Qarkut Tiranë, Qarkut Durrës dhe Qarkut Lezhë, do të pezullohet mësimi për datën 26 nëntor.

Në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë qytetarët të përfshirë nga paniku kanë braktisur shtëpitë duke qëndruar në ambiente të jashtme, pasi janë regjistruar edhe lëkundje të tjera.

Tërmeti ka shkaktuar probleme të shumta në telekomunikacion, dhe ndërprerje të energjisë elektrike në qytetet e vendit.

Tërmeti është ndjerë edhe në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Malin e Zi.

Kujtojmë se Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë u goditën më 21 shtator nga një tërmet me një magnitudë 5.8 sipas shkallës Rihter, i cili u vlerësua nga autoritetet si “tërmeti më i fuqishëm në 20-30 vitet e fundit”.

Shekulli Agency