Shqipëri, rritet në 12 numri i personave të prekur me koronavirus

Me konfirmimin e dy rasteve të reja me koronavirus (COVID-19) në orët e fundit, numri i të prekurve në Shqipëri është rritur në 12, ndërsa në 24 orët e fundit janë kryer 43 testime të reja.

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Mira Rakacolli, në një deklaratë për mediat ka publikuar shifrat e fundit, e cila konfirmoi se në total deri në këto momente janë testuar 157 njerëz të dyshuar për COVID-19 dhe deri tani nga këta vetëm 12 janë të identifikuar pozitivë. 

“Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore informojmë se tre prej të prekurve janë të shtruar në spitalin infektiv në gjende të qëndrueshme shëndetësore, pa probleme të veçanta. Njëri në spitalin e Durrësit në terapi intensive, por në gjendje të stabilizuar, shtatë prej personave të identifikuar me COVID 19 pozitivë janë në vetëizolim pa shenja klinike të infeksionit respirator, ndërsa 104 persona kontakte të personave të identifikuar me COVID janë në vetëkarantinim, pra nuk paraqesin asnjë lloj shenje”, tha Rakacolli.

Zëvendësministrja Rakacolli theksoi se institucionet po vazhdojë të gjurmojmë rastet e dyshuara.

– Masat kundër përhapjes së koronavirusut në Shqipëri

Institucionet në Shqipëri kanë marrë masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), përfshirë mbylljen e ambienteve si lokale nate, disko, qendra sportive, pishina, qendra kulturore, qendra sociale dhe pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore.

Në të gjithë vendin në institucionet arsimore publike dhe jopublike, është vendosur ndërprerja e procesit mësimor deri më 23 mars.

Ndërkohë, sot Kuvendi i Shqipëri në një njoftim zyrtar konfirmoi se seanca plenare e parashikuar për t’u zhvilluar më 12 mars do të shtyhet deri në njoftim të dytë, “për shkak të situatës së krijuar dhe në kuadër të masave mbrojtëse ndaj koronavirusit (COVID -19)”.

Gjithashtu është vendosur pezullimi i të gjitha fluturimeve dhe linjave të transportit detar, nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas. Ky vendim, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, prek vetëm transportin e pasagjerëve, pasi do të vijojnë normalisht lundrimet e anijeve tregtare dhe fluturimet e avionëve të mallrave.

Në kudër të masave, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka konfirmuar se aktiviteti futbollistik në Shqipëri do të vijojë, por ndeshjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur deri më 23 mars 2020 ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore. Ndërsa nuk do të ofrohen më shërbime nëpër sportelet e institucioneve për të gjitha aplikimet që ofrohen edhe online.

Koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, u zbulua për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan, Kinë, ndërsa ka shkaktuar deri tani mijëra të vdekur.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), që atëherë, virusi është përhapur në 110 vende ndërsa OBSH-ja ka shpallur shpërthimin e urgjencës ndërkombëtare shëndetësore.

Shekulli Agency