Shqipëri, masat kundër koronavirusit, mbyllen institucionet arsimore

Në Shqipëri institucionet arsimore publike dhe jo publike mbyllen për një periudhë dy javore, në kuadër të masave të reja kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama tha se është momenti të mbyllen të gjitha institucionet arsimore dhe të kërkohet anulimi i të gjitha grumbullimeve masive sportive, kulturore, konferencave dhe dëgjesave publike.

“Masat e sotme gjithnjë në ndjekje të protokollit të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për t’i vënë në lëvizje janë pezullimi i fluturimeve direkte, apo udhëtimeve detare nga veriu i Italisë dhe praktikisht në të gjitha zonat e kuqe të izoluara plotësisht deri më datë 3 prill. Mbyllja e institucioneve arsimore për një periudhë dy javore për të parandaluar përhapjen”, tha kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini, në një njoftim publikuar në rrjetet sociale ka konfirmuar se është vendosur nga Task forca për koronavirusin që të mbyllen institucionet arsimore deri më 23 mars 2020, sipas saj, për arsye frenimi të përhapjes së virusit COVID-19, i cili është shfaqur në dy raste në Shqipëri.

“Masa është parandaluese dhe frenuese, nuk ka asnjë nevojë e arsye për panik. Po tregohemi shumë të kujdesshëm që të zvogëlojmë maksimalisht mundësinë e përhapjes së këtij virusi. Fëmijët dhe të rinjtë nuk janë grupmoshë e rrezikuar nga virusi, por mund të jenë bartës. Ndaj, do të pezullohet mësimi në institucionet arsimore”, shkruan ministrja Shahini.

Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ka urdhëruar mbylljen e aktiviteteve publike dhe jo publike, si aktivitete sportive, aktivitete kulturore dhe konferenca, anulimin e grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura, si koncerte, tubime apo dëgjesa publike deri më 3 prill.

Sipas konfirmimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrja Manastirliu, ka urdhëruar që të gjithë shtetasit që hyjnë në territorin e Shqipërisë dhe vijnë nga zona e izoluar në Itali të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore në ambientet e banesavee të tyre.

Gjithashtu Manastirliu ka urdhëruar edhe ndalimin e eksportit të barnave dhe pajisjeve mjekësore deri në një urdhër të dytë, ndërsa sipas njoftimit ky lloj eksporti do të kryhet vetëm me autorizim të posaçëm.

Kujtojmë se në Shqipëri janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirusin e ri (COVID-19).

I zbuluar për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor, virusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në më shumë se 80 vende.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), virusi ka marrë jetën e mijëra njerëzve globalisht, ndërsa ka infektuar mbi 100 mijë persona.

OBSH, e cila shpalli epideminë si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore, së fundmi përditësoi nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”.

Shekulli Agency