Shqipëri, ekspozitë me krijimtarinë e fotografëve të Periudhës Osmane

Në qytetin e Shkodrës është hapur ekspozita me krijimtarinë e fotografëve të Periudhës Osmane, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të Shqipërisë, të institucioneve turke në Shqipëri, të shoqatave të ndryshme, artistëve dhe studiuesve nga fusha të ndryshme.

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, ishin të pranishëm ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti; zv/kryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Dr. Mahmut Çevik; Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk; drejtori i Muzeut “Marubi”, Luçjan Bedeni; drejtori i Instituti “Yunus Emre” Shkodër, Zafer Kıyıcı; si dhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

Ministrja Margariti gjatë fjalës së saj tha se është hera e parë që do të ekspozohen koleksionet e fotografëve të Periudhës Osmane në arkivën e Sulltan Abdyl Hamitit të Dytë në Stamboll.

“Prezenca e TIKA-s që ka qenë një partner i vazhdueshëm për ne në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, vjen kësaj radhe si një partner akoma edhe më i veçantë, sepse ka bërë të mundur falë edhe bashkëpunimit të mirë që kemi pasur me Ambasadën e Turqisë që gjithmonë ka mbështetur relatat e mira midis dy shteteve, sjelljen e kësaj ekspozite, sidomos të këtij katalogu si një vlerë e shtuar e të gjithë raportit që ne kemi pasur ndër shekuj dhe tashmë i mirë përcaktuar edhe në një hapësirë që lidhet ngushtësisht me artin, kulturën, por ngushtësisht edhe me memorien”, u shpreh Margariti.

Çevik theksoi se me kontributin e TIKA-s në Shqipëri nuk synojnë vetëm ngritjen nga ana ekonomike, por gjithashtu edhe nga ana kulturore dhe artistike.

“Me të gjithë mbështetjen tonë ekonomike dhe shpirtërore synojmë fuqizimin e të gjithë elementëve kulturore. Në këtë gjeografi, në këtë territor kemi bashkëjetuar për një kohë shumë të gjatë dhe gjatë kësaj periudhe kemi kultivuar poetë, muzikantë dhe artistët tanë të përbashkët. Në mbështetjen e kësaj ekspozite, me kontributin e çmuar dhe të pakursyer në hapjen e kësaj ekspozite nuk patëm asnjëherë asnjë ngurrim”, tha Çevik.

Ai tha se janë të gatshëm të bashkëpunojmë sërish për të rikthyer kujtesën e bashkëjetesës dhe të kulturës së përbashkët.

Ambasadori Yöruk tha se Shqipëria dhe shqiptarët zënë një vend të veçantë në zemrën e kombit turk, duke shtuar se “marrëdhëniet dypalëshe shumë të mira që gëzojmë sot, marrin forcë nga historia e përbashkët, kultura dhe lidhjet rrënjësore mes popujve tanë. Miqësia mes turqve dhe shqiptarëve e lindur afërisht 6 shekuj më parë, aktualisht vazhdon të ndikojë pozitivisht të sotmen tonë”.

“Viti 2021 përmban një rëndësi të veçantë përsa i përket marrëdhënieve tona dypalëshe. Gjatë vizitës së fundit zyrtare të kryeministrit Rama në janar 2021, marrëdhëniet tona dypalëshe u ngritën në nivelin e partneritetit strategjik”, tha ai.

Ambasadori turk tha se Sulltan Abdyl Hamiti i Dytë ka mbështetur fotografë të rajoneve të ndryshme të Shtetit Osman, duke shtuar se Shteti Osman ka mbështetur degë të ndryshme të artit dhe ka ofruar stimuj të ndryshëm për artistët. Sipas tij, fotografitë e ekspozitës hedhin dritë mbi pikët e përbashkëta të jetës së njerëzve.

Bedeni tha se pas pothuajse gjashtë muajsh përpjekje intensive dhe pune të madhe ia arritën më në fund që të ekspozojmë njëherësh Pietro Marubbin me fotografët më të rëndësishëm të historisë botërore të fotografisë.

“Kam një falënderim shumë të përzemërt për ambasadorin turk Yöruk me të cilin kemi bashkëpunuar ngushtësisht për të bërë të mundur realizimin e kësaj ekspozite, falënderoj ministren për prezencën dhe zv/presidentin e TIKA-s që patjetër është një suport shumë i rëndësishëm, duke qenë se pjesë e kësaj ekspozite është edhe një libër me krijimtarinë e të gjithë këtyre fotografeve”, tha Bedeni.

Ekspozita “Pietro Marubbi dhe fotografët e Periudhës Osmane” do të qëndrojë e hapur deri më datë 5 dhjetor dhe organizohet nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” i Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, TIKA-n dhe Ambasada e Turqisë në Tiranë. Ekspozita përfshin foto me tematika të ndryshme të disa fotografëve si Pietro Marubbi, Vëllezërit Abdullahyan, Pascal Sébah, Vasilikis Kargopoulos, Félix Bonfils, Guillaume Berggren, Nikolas Andriomeno, Bogos Tarkulyan dhe të tjerë.

Në kuadër të ekspozitës, me ndihmën e TIKA-s është botuar edhe një libër me titull “Fotografët në Periudhën Osmane nga Stambolli në Shkodër”.

Shekulli Agency