Putin në paradën e Ditës së Fitores: E vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë

Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë fjalimit të tij me rastin e 80-vjetorit të Ditës së Fitores ka deklaruar se e vërteta dhe drejtësia janë në anën e vendit të tij dhe se e gjithë Rusia mbështet “operacionin special ushtarak” në Ukrainë.

“E vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. I gjithë vendi, shoqëria dhe populli mbështesin pjesëmarrësit e ‘operacionit special ushtarak’. Jemi krenarë për guximin dhe vendosmërinë e tyre. Atë forcë shpirtërore që na ka sjellë gjithmonë vetëm fitoren”, tha Putin gjatë fjalimit të tij në paradën vjetore të Ditës së Fitores të mbajtur në Sheshin e Kuq të Moskës.

Duke u shprehur se Rusia i kujton mësimet e Luftës së Dytë Botërore, Putin tha se ata kurrë nuk do të pajtohen me shtrembërimin e historisë së tyre mes “përpjekjeve për të justifikuar xhelatët dhe për shpifjen ndaj fituesve të vërtetë”.

Më tej, Putin tha se përfaqësuesit e kombësive të ndryshme që shtypën nazizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore do të mbeten përgjithmonë në histori si ushtarë rusë, duke theksuar veçanërisht kontributin e banorëve të Azisë Qendrore dhe Kaukazit në fitoren e Bashkimit Sovjetik në luftë.

“Disfata e plotë e Gjermanisë naziste, Japonisë militariste dhe satelitëve të tyre në rajone të ndryshme të botës u arrit nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta të Kombeve të Bashkuara”, tha Putin.

Ai theksoi se Bashkimi Sovjetik mori mbi vete “goditjet më të egra dhe të pamëshirshme” të kundërshtarit të tij në konflikt si dhe shtoi se ata përcaktuan të gjithë rezultatin përmes fitoreve në betejat e mëdha.

Shekulli Agency