“Nëpunësit e ambasadës në Shkup janë tërhequr për shkak të veprimeve ofensive kundërzbuluese”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi sot se ambasadorja dhe nëpunësit e ambasadës së Serbisë në Maqedoni janë tërhequr sepse kanë pasur informacione për “veprimtari shumë ofensive kundërzbulimi ndaj organeve dhe institucioneve të Serbisë”, raporton (AA).

Ai tha se organet kompetente i prezantuan atij dhe Qeverisë së Serbisë dëshmitë për këtë, porse Serbia do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie miqësore me Maqedoninë.

“Ne dëshirojmë që njerëzit tanë të jenë të gatshëm dhe të përgatitur dhe të ruhet miqësia e serbëve dhe maqedonasve, por gjithashtu ne dimë se si të veprojmë në një mjedis të ndryshëm dhe të ri që nuk e dinim deri para disa muajsh”, tha Vuçiç para gazetarëve pas vizitës së Korridorit 11.

Ai shtoi se për 7 deri në 10 ditë gjithçka do të jetë normale.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha se për tërheqjen e nëpunësve të ambasadës së Serbisë nga Maqedonia ka biseduar me ministrin e Jashtëm Ivica Daçiç dhe janë duke u konsultuar me presidentin Aleksandar Vuçiç.

“Po punojmë mbi këtë. Ju lutem që të prisni njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme që do ta shpalosim në mesditë. Po punojmë së bashku në këtë. Nuk bëhet fjalë gjëra të vogla”, tha Brnabiç para gazetarëve në Qeverinë e Serbisë.

Dje nga Maqedonia është tërhequr ambasadorja e Serbisë dhe nëpunësit e ambasadës në Shkup. Arsyeja ende nuk dihet.

Shekulli Agency