Në Shqipëri 16 të vdekur nga COVID-19, numri i rasteve rritet në 277

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se numri i personave të vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) është rritur në 16, ndërsa numri i rasteve të konfirmuar pozitiv në 277, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë.

Në njoftimin zyrtar të ministrisë thuhet se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient 78- vjeçar nga Durrësi i konfirmuar me COVID-19.

“Deri tani janë 16 persona që kanë ndërruar jetë nga COVID-19 në Shqipëri. Në 24 orët e fundit janë testuar 96 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 18 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 1919 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 277 raste, nga të cilët vetëm 8 janë fëmijë”, theksohet në njoftim.

Sipas ministrisë mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç, ndërsa në mesin e rasteve të konfirmuar gjithsej 76 janë shëruar.

Në vend është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa masat janë shtyrë pa afat. Institucionet në Shqipëri kanë marrë masa të shumta si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Shekulli Agency