Ministri turk i Mbrojtjes inspekton trupat përgjatë kufirit me Sirinë

Ministri turk i Mbrojtjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandanti i Forcave Tokësore kanë inspektuar trupat në afërsi të kufirit në Sirinë veriore, lokacionin ku zhvillohet operacioni antiterrorist i Turqisë “Burimi i Paqes”, raporton AA.

“Ende asgjë nuk ka përfunduar këtu, gjithçka mund të ndodhë”, ministri Hulusi Akar u tha ushtarëve në Tal Abyad të Sirisë, duke u kërkuar atyre që të qëndrojnë të gatshëm.

Akar inspektoi trupat bashkë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, Yaşar Güler, dhe me komandantin e Forcave Tokësore, Ümit Dündar.

Akar kritikoi mungesën e njohjes ndërkombëtare të përpjekjeve afatgjata të Turqisë kundër terroristëve të DEASH-it, duke thënë: “Është një injorancë dhe kokëfortësi e verbër për të mos vërejtur luftën e Turqisë kundër DEASH-it”.

“Me operacionin ‘Burimi i Paqes’, Turqia neutralizoi më shumë se 3.000 terroristë të DEASH-it në Sirinë veriore dhe rreth 700 në Irakun verior”, tha ai, duke iu referuar operacionit të viteve 2016-2017.

Pretendimet e mediave të huaja se Turqia po përdor armë kimike në operacionin antiterrorist në Sirinë veriore janë të pabaza, shtoi ai.

“Forcat e Armatosura Turke asnjëherë nuk përdorin armë kimike. Nuk ka asnjë koncept, doktrinë ose stërvitje në lidhje me këtë temë”, tha Akar.

Ai gjithashtu përsëriti se Turqia nuk do të lejojë formimin e një korridori terrorist në kufirin e saj.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët nga Siria veriore në lindje të lumit Eufrat, në mënyrë që të sigurojnë kufijtë e Turqisë, të ndihmojnë kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të garantojnë integritetin territorial të Sirisë.

Më 22 tetor, Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas së cilës terroristët e YPG/PKK-së brenda 150 orëve të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë veriore, ndërsa forcat e sigurisë turke dhe ruse të kryejnë patrullime të përbashkëta atje. Periudha 150-orëshe përfundoi dje.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG është dega siriane e PKK-së.

Që kur Turqia e njohu DEASH-in si grup terrorist në vitin 2013, Turqia është sulmuar shumë herë nga terroristët e DEASH-it, përfshirë 10 bomba vetëvrasëse, shtatë bomba dhe katër sulme të armatosura që vranë 315 persona, përfshirë oficerë të policisë, ushtarë dhe qindra të plagosur.

Në kundërpërgjigje të kësaj, Turqia nisi operacione kundër terrorizmit brenda dhe jashtë, duke neutralizuar 3.500 terroristë të DEASH-it dhe duke arrestuar 5.500 të tjerë.

Shekulli Agency