Ministri i Jashtëm i Kinës vizitë në Shqipëri

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, priti në një takim këshilltarin e Shtetit dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Wang Yi, i cili po realizon një vizitë në Shqipëri.

Sipas njoftimit nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministrat gjatë takimit në Tiranë shkëmbyen mendime mbi situatën e marrëdhënieve dypalëshe, ku u theksua vullneti reciprok për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore, por edhe diplomatike e politike.

Pjesë e bisedës ishte edhe shkëmbimi i mendimeve mbi bashkëpunimin mes dy vendeve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria do të jetë anëtare jo e përhershme e KS-OKB-së për periudhën 2022-2023.

“Të dy ministrat konfirmuan vullnetin e dyanshëm për të zhvilluar konsultime e për të bërë përpjekje të sinqerta për të gjetur hapësira bashkëpunimi e mirëkuptimi”, theksohet në njoftim.

“Shqipëria ndjek sot një politikë të jashtme të bazuar tek parime e vlera që frymëzohen nga eksperienca jonë historike. Ne kemi vullnetin e plotë për të bashkëpunuar ngushtë me Republikën Popullore Kineze për të gjithë ato çështje ku ndajmë qëndrime e interesa të përbashkëta, duke njohur e vlerësuar rolin dhe peshën e Kinës në arenën globale”, është shprehur ministrja Xhaçka.

Më tej theksohet se bisedimet u përqendruan tek bashkëpunimi dypalësh dhe mundësitë për zhvillimin e tij të mëtejshëm në fushat me interes të ndërsjellë, me fokus bashkëpunimin ekonomik e kulturor, luftën kundër pandemisë COVID-19, bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, si dhe bashkëpunimin në kuadër të nismave rajonale (Kinë-CEEC).

Sipas njoftimit, ministrja Xhaçka dhe homologu kinez mbështetën heqjen e vizave për të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të vizitojnë Kinën, ku theksohet se kryediplomati kinez vlerësoi se vendi i tij do të respektojë parimin e reciprocitetit.

Ministri Wang Yi gjatë vizitës njëditore në Shqipëri që po e zhvillon në kuadër të një turneu rajonal, do të takohet edhe me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama.

Vizita e ministrit të Jashtëm kinez është e para në Shqipëri e një kryediplomati të Republikës Popullore të Kinës që prej vitit 2011. Anadolu Agency

Shekulli Agency