Ministri Çavusoglu paralajmëron Holandën

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, është takuar sot në ambientet e MPJ-së në Turqi me gazetarë dhe kolumnistë.

Në lidhje me çështjen rreth takimit me qytetarët turq që jetojnë në Holandë, Çavuşoğlu është shprehur: “Nëse jeni kundër edhe për takimet pas zgjedhjeve tek ju, atëherë mua nuk më ndalon dot askush. Madje shkoj këtë të shtunë dhe bëj takimet e mia. Mund të anuloni aktivitete, bëni çfarë dëshironi. Mund të gjejmë një vend ku mund të takohemi”.

Kjo deklaratë e shefit të diplomacisë turke ka ardhur pas një pyetjeje të një gazetari. Ai ka theksuar se zyrtarët holandezë nuk kanë bërë ndonjë kërkesë që vizita të zhvillohet pas zgjedhjeve me pretendimin se “ndihmon radikalin e djathtë, Geert Wilders”. Ai ka shtuar gjithashtu se në rast të një kërkese të tillë ata do ta respektonin.

Ndërsa duke vënë në dukje se kur kanë marrë vendimin për datën e takimit në Holandë nuk kanë marrë parasysh zgjedhjet në atë vend, Çavuşoğlu u shpreh: “Fillimisht deklaratat e Kryeministrit holandez (Mark Rutte) i cili tha se ‘Turqit nuk mund të vijnë, të mos vijnë’, deklaratë kjo që i shërbeu populizmit dhe më pas vazhdimi i deklaratave të ngjashme nga Wilders, janë diçka e gabuar. Pas këtyre deklaratave edhe nuk mund ti anulojmë”.

Prania e YPG-së në Munbixh

Gjatë fjalimit për gazetarët, kreu i diplomacisë turke ka folur edhe për situatën e fundit në Siri. Pyetjes se “Nëse YPG reziston për të mos dalë nga Munbixhi, çfarë qëndrimi do të mbajë Turqia?”, ai i është përgjigjur se autoritetet turke kanë thënë qartë që synimi pas Al Bab-it është Munbixhi dhe sipas tij këtë gjë e kanë theksuar që në fillim.

Duke vënë në dukje se ende është duke vazhduar hartimi i planit për shpëtimin e Rakës, Çavuşoğlu ndër të tjera ka shtuar: “Nëse YPG na del përpara ndërkohë që ne do të shkojmë në Munbixh, e kemi thënë edhe më parë dhe e theksojmë edhe tani që ne do ti godasim. Këtë gjë e ka theksuar edhe krye komandanti jonë, Presidenti Recep Tayyip Erdoğan. Nëse dikush del në mbrojtje të YPG-së ky për ne është një problem dhe ne do të dalim kundër kësaj. YPG-ja për ne është një organizatë terroriste ashtu sikurse DEASH-i. Aq sa është e rëndësishme lufta kundër DEASH-it aq është e rëndësishme edhe lufta kundër YPG-së. Ne nuk do të lejojmë një grupim të tillë përtej kufirit tonë. Kjo gjë duhet të ndahet mirë”.

Shekulli Agency