Mediat izraelite: Tel Avivi planifikon t’i shesë Qipros Greke tanke “Merkava”

Gazeta izraelite Haaretz raporton se Izraeli është në bisedime me Administratën e Qipros Greke në lidhje me shitjen e tankeve “Merkava”, transmeton Anadolu.

Në lajmin e saj të posaçëm, gazeta Haaretz citon burime izraelite dhe të Qipros Greke të cilat thonë se Izraeli planifikon t’i shesë administratës së Qipros Greke tanke të vjetra “Merkava”.

Sipas lajmit të gazetës, një zyrtar nga administrata e Qipros Greke konfirmoi se negociatat po vazhdojnë mes dy palëve për blerjen e tankeve izraelite.

“Për shkak të luftës në Evropë, disa vende janë të interesuara të blejnë nga rezervat izraelite, duke përfshirë ish-tanket Merkava që u dekomisionuan në ushtrinë izraelite vite më parë. Negociatat nuk janë shndërruar ende në marrëveshje dhe ende nuk janë miratuar nga ministria ose vendet në fjalë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit.

Kreu i Departamentit të Koordinimit të Eksportit të Ministrisë së Mbrojtjes, Yair Kulas, në një intervistë me gazetën “Calcalist” javën e kaluar tha se Izraeli është në bisedime me dy vende, njëri prej të cilëve në Evropë, në lidhje me shitjen e tankeve të vjetra “Merkava”.

Pas intervistës së Kulasit, në media dhe rrjete të ndryshme sociale u pretendua se bëhej fjalë për administratën e Qipros Greke.

Administrata amerikane njoftoi se hoqi embargon e armëve ndaj administratës së Qipros Greke për vitin fiskal 2023, duke i hapur kështu rrugën një marrëveshjeje të tillë.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, vizitoi administratën e Qipros Greke muajin e kaluar. Dy javë më vonë, presidenti i Qipros Greke, Nikos Christodoulides, vizitoi Izraelin dhe u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Shekulli Agency