Maqedonia e Veriut dhe Zvicra nënshkruan memorandum për reformat zgjedhore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Ambasada e Zvicrës në Shkup kanë nënshkruar memorandum për bashkëpunim për programin “Mbështetje për reformat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut”, program i cili mbështetet nga Agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim, raporton AA.

Memorandumin e nënshkruan kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ambasadorja e Zvicrës, Sybille Suter Tejada.

Në konferencën e përbashkët për media, Zaev tha se prioritet i qeverisë janë reformat në proceset zgjedhore në përputhje me parimet demokratike, duke shtuar se mbështetja nga qeveria zvicerane është e rëndësishme dhe gjithëpërfshirëse.

“Qëllimi kryesor i programit është zbatimi i zgjedhjeve demokratike dhe të besueshme që do të mundësojnë pjesëmarrje politike të votuesve përmes zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre nga të cilët më pas do të kërkojnë përgjegjësi. Në veçanti, programi duhet të rezultojë në fuqizimin e institucioneve që zbatojnë procese zgjedhore të drejta dhe efikase. Fokusi do të jetë gjithashtu tek demokratizimi i brendshëm i partive politike, politikat dhe programet zgjedhore të cilat duhet të jenë të orientuara drejt qytetarëve dhe nevojave të tyre”, tha Zaev.

Ai tha se me këtë program parashihet edhe edukimi dhe informimi më i mirë i qytetarëve për të kërkuar përgjegjësi nga partitë politike dhe zyrtarët e zgjedhur.

Zaev tha se është i hapur për diskutim për ndryshim të Kodit Zgjedhor, vendosjen e listave të hapura si dhe për vendosjen e një njësie të vetme zgjedhore. Megjithatë, ai theksoi se kjo varet nga të gjitha partitë politike.

Sipas sistemit aktual zgjedhor, 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut zgjidhen në 6 njësi zgjedhore me nga 20 deputetë.

Ambasadorja Tejada tha se kjo është një mbështetje e madhe për procesin e demokratizimit të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se ai do të zgjasë 10 vite dhe se do të kushtojë 12 milionë franga zvicerane (rreth 11 milionë euro).

“Ne themi se zgjedhjet demokratike janë kyçe për demokratizimin e një vendi. Por, çfarë përfshin kjo? Kjo përfshin fuqizimin e institucioneve që merren me zgjedhjet. Këto janë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, komisionet zgjedhore lokale dhe kjo është mbështetje për demokratizimin e partive politike. Ne duam që partitë politike t’u japin llogari qytetarëve dhe votuesve”, tha Tejada.

Ambasadorja zvicerane thekson se ky program nuk duhet të ndërlidhet vetëm me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, të cilat janë paraparë të mbahen më 12 prill të vitit të ardhshëm.

Shekulli Agency