Maqedoni e Veriut, Shaqir Fetahu zgjidhet kryetar i Bashkësisë Fetare Islame

Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet për kryetar ka vendosur kandidatin Shaqir Fetahu në krye të këtij institucioni fetar, i cili deri më tani ishte ushtrues i detyrës së kryetarit të BFI-së, raporton (AA).

Në zgjedhjet e sotme të mbajtura në selinë e BFI-së në Shkup, anëtarët e Rijasetit të BFI-së votuan për dy kandidatë, 18 votuan për Fetahun dhe 3 votuan për muftiun e Muftinisë të Tetovës, Qani Nesimi.

Shpallja e zgjedhjeve nga ky institucion fetar u njoftua më 13 nëntor, kur edhe shpalli kushtet për paraqitjen e kandidaturave. Më 17 shtator, Komisioni Zgjedhor i BFI-së mbajti një takim për të shqyrtuar kandidaturat e marra për zgjedhjen e kryetarit të BFI-së, ku nga tre kandidatura të paraqitura u verifikuan vetëm dy, ajo e Fetahut dhe Nesimit.

Kujtojmë se më 27 maj, Rijaseti i BFI-së mbajti një seancë të jashtëzakonshme në të cilën vendosi të shkarkojë kreun e atëhershëm, Sulejman Rexhepi dhe siç njoftuan atëkohë “deri në përgatitjen e kushteve për zgjedhje të reja ushtrues i detyrës do të jetë Shaqir Fetahu, mufti i Gostivarit”.

Më 30 maj, Rexhepi njoftoi në një deklaratë me shkrim njoftoi se jep dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të BFI-së.

Kush është prof. Shaqir Fetahu

Shaqir Fetahu, i lindur më 25 prill të vitit 1959 në fshatin Çegran të Gostivarit, shkollën e mesme e kreu në vitin 1980 në Shkollën e Mesme Islame Medreseja “Alaudin” në Prishtinë, pas çka vijoi studimet në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë duke i kryer me sukses në vitin 1984.

Pas kryerjes së studimeve në Sarajevë, ai u punësua në një xhami në fshatin Çegran si imam dhe mualim ndërsa më pas u emërua si ligjërues në Medresenë “Isa Beu” – Shkup, ku punoi dhjetë vite.

Në vitin 1994, Fetahu u emërua drejtor i sektorit për shkencë dhe kulturë islame pranë BFI-së ndërsa në vitin 2001 u zgjodh mufti i Muftinisë së Gostivarit, detyrë në të cilën është i angazhuar edhe sot. Ai mori edhe drejtim e BFI-së si ushtrues detyre, pasi në muajin maj Rijaseti i BFI-së shkarkoi ish-kryetarin Sulejman Rexhepi.

Fetahu hifzin e Kur’anit e kreu në moshën 15-vjeçare në një xhami në fshatin e tij në Çegran. Ai që nga koha e shkollës së mesme është marrë me shkrime të ndryshe të fushës islame.

Shekulli Agency