Maqedoni e Veriut, aeroportet gati të hapen sipas protokolleve botërore

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, deklaroi se “Aeroporti Ndërkombëtar – Shkupi” është gati të hapet dhe se protokolli me të cilin do të funksionojë është bërë sipas të gjitha standardeve botërore, raporton (AA).

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski, bashkë me ministrin Filipçe vizituan aeroportin e Shkupit, ku bashkë me drejtorin e kompanisë “TAV Maqedoni”, Alper Ersoy, inspektuan së afërmi përgatitjet për hapjen e aeroportit.

Në deklaratë për mediat, ministri Filipçe theksoi se organizuan një takim me drejtorin e “TAV Maqedoni” në lidhje me protokollin me të cilin do të punojnë aeroportet në Shkup dhe Ohër.

“Ne patëm mundësi të shohim protokollin, ai me të vërtetë është bërë sipas të gjitha standardeve botërore, duke respektuar plotësisht parimet e mbajtjes së distancës, mbajtje të detyrueshme të maskës, në shumë vende në ndërtesë janë vendosur mjete për dezinfektim të duarve”, tha Filipçe.

Duke theksuar se në ndërtesën e aeroportit do të mund të hynë vetëm udhëtarët, gjë që zvogëlon ndjeshëm rrezikun e grumbullimit të më shumë njerëzve, Filipçe gjithashtu tha se janë vendosur kamera termike edhe në hyrje të aeroportit për të matur temperaturën e udhëtarëve.

Ministri i Shëndetësisë tha se nëse paraqitet ndonjë udhëtar me temperaturë të lartë, ai do të trajtohet nga ekipet e Qendrës së Shëndetit Publik, që do të jenë në dy aeroportet.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski, deklaroi se protokollet për mbrojtje nga COVID-19 janë respektuar plotësisht, duke shtuar se do të jetë vendimtare tani që udhëtarët t’i respektojnë rregullat në mënyrë që të shmangen përhapja e sëmundjes.

“Dua të theksoj se për ne si qeveri, trafiku ajror është i rëndësishëm. Ju të gjithë e dini se para fillimit të kësaj krize shëndetësore kemi pasur një numër rekord të udhëtarëve në vitet e kaluara”, tha Sugarevski, duke shtuar se kjo është e rëndësishme për ekonominë dhe turizmin në vend.

Drejtori Ersoy, i cili falënderoi Qeverinë për komunikimin dhe bashkëpunimin e mirë, tha se gjatë tre muaj e gjysmë, për sa kohë që aeroportet mbetën të mbyllura, ata kanë ndjekur të gjitha rekomandimet dhe udhëzimet vendase dhe ndërkombëtare.

“Më 1 korrik, ne do të fillojmë zbatimin e protokolleve në aeroportet në Shkup dhe Ohër. Ne dëshirojmë që të gjithë udhëtarët tanë të ndjekin rregullat, sepse këto rregulla janë për shëndetin dhe sigurinë e tyre. Ne duam që ata të respektohen nga të gjithë dhe do të punojmë së bashku për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në aeroportet tona”, theksoi Ersoy.

Ai gjithashtu tha se shumë udhëtarë kanë hezituar që të udhëtojnë, andaj në fillim do të ketë më pak fluturime dhe udhëtarë.

Me vendim të Qeverisë, aeroportiet në Shkupi dhe Ohër do të hapen nga 1 korriku, pas tre muaj e gjysmë mos funksionimi, por duke respektuar protokollet e rrepta për mbrojtje nga sëmundja.

Shekulli Agency