Macron: Kryeministri australian gënjeu Francën për marrëveshjen e nëndetëseve

Presidenti francez, Emmanuel Macron, akuzoi kryeministrin australian, Scott Morrison, se gënjeu Francën në lidhje me anulimin e kontratës shumë milionëshe të nëndetëseve, e cila më pas u lidh me SHBA-në, raporton (AA).

Në pyetjen në margjinat e samitit të G20 në Romë nga gazeta australiane e lajmeve “The Sunday Morning Herald” nëse ai mund t’i besonte përsëri kryeministrit australian, presidenti Macron tha se Franca do të presë të shohë se çfarë do të japë ai.

“Kam shumë respekt për vendin tuaj dhe miqësi për popullin tuaj. Kur ka respekt, duhet të jesh i vërtetë dhe të sillesh në përputhje dhe në pajtim me këtë vlerë”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm francez, Jean Yves Le Drian, bëri komente të ngjashme në shtator pasi Australia anuloi kontratën me Francën për 12 nëndetëse me fuqi konvencionale në favor të SHBA-së nën aleancën e re të mbrojtjes së Kanberrës me Uashingtonin dhe Londrën të quajtur AUKUS.

Le Drian akuzoi aleatët perëndimorë për “goditje me thikë pas shpine”, “gënjeshtra, dyfytyrësi dhe një shkelje të madhe të besimit dhe përbuzje”. Australia i hodhi poshtë këto akuza, duke thënë se Morrison kishte ngritur shqetësime mbi aftësinë e nëndetëseve franceze “disa muaj më parë”.

Komentet e ashpra të kreut të shtetit francez erdhën disa ditë pasi ai shtrëngoi duart me Morrison në samitin e G20 dhe realizoi një bisedë telefonike me të më 28 tetor, hera e parë që nga shpërthimi i krizës së nëndetëseve. Macron në bisedën telefonike i tha kryeministrit Morrison se vendimi për kontratën e nëndetëseve theu besimin mes dy vendeve dhe i takonte Australisë të riparonte marrëdhëniet dypalëshe.

Morrison pranoi se ishte i vetëdijshëm për zhgënjimin e Francës dhe se do të punonte për rindërtimin e urave të bashkëpunimit.

Shkelja e marrëveshjes kishte zemëruar Parisin, i cili tërhoqi të dërguarit e tij nga Uashingtoni dhe Kanberra. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në takimin e tij me Macron këtë javë pranoi se Uashingtoni ishte “i ngathët” në trajtimin e marrëveshjes.

Shekulli Agency