Kurti: Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet

Pas njoftimit nga Brukseli për arritjen e marrëveshjes mbi çështjen e targave të automjeteve midis Prishtinës dhe Beogradit, ka reaguar kryeministri kosovar, Albin Kurti, i cili ka theksuar se “reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur” dhe se “tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet”, transmeton Anadolu Agency.

Sot më herët, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, në rrjetet sociale konfirmoi se Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në Bruksel për de-përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës, duke publikuar një dokument me pikat e rëna dakord në marrëveshje.

“Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale.

Më tej, Kurti tha se meqë barrikadat e rrugës në veri të vendit do të hiqen, po ashtu edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës, e cila ndodhet në Jarinjë dhe Bernjak që nga 20 shtatori, “nuk ka pse qëndron atje dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen”.

Ai shtoi se policia kufitare e Kosovës do të zbatojë reciprocitetin e targave dhe se KFOR-i do të qëndrojë atyre rreth dy javë që gjithçka të jetë e sigurt.

“Në javën e shkuar, presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve tanë. Natyrisht që nuk ju plotësuan ato dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel. Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet”, u shpreh Kurti.

Nga 20 shtatori serbët lokalë bllokuan rrugët në kalimet kufitare Jarinjë dhe Bernjak duke shprehur revoltë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet mbi targat e automjeteve nga Serbia. Në zonën kufitare nuk munguan as manovrat ushtarake pranë kufirit duke fluturuar edhe avionë ushtarakë serb.

Marrëveshja e njoftuar nga Lajçak përfshin tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pikat kufitare në Jarinjë dhe Bernjak, si dhe të barrikadave të vendosura nga serbët lokal, ndërkohë theksohet se “regjimi i afisheve” do të fillojë të zbatohet nga 4 tetori si një masë aktuale derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme.

Po ashtu është rënë dakord që të formohet një grup pune i përbërë nga përfaqësues të Prishtinës, Beogradit dhe BE-së, që do të punojë për arritjen e një zgjidhje të përhershme në çështjen e targave, e cila brenda gjashtë muajve do të paraqitet në Bruksel në një takim i nivelit të lartë politik.

Shekulli Agency