Kosovë – Kuvendi miraton ligjin për krijimin e Gjykatës Speciale

kuvendi-kosove

Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për krijimin e Gjykatës Speciale me mbi dy të tretat e votave – 82 pro, 5 kundër dhe 1 abstenim.

 

Shqyrtimi i propozim-amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i riproceduar të premtën në Kuvend nga qeveria e Republikës së Kosovës, ishte pikë e vetme e agjendës së seancës plenare të Kuvendit, të nisur të hënën paradite e që u zhvillua me debate pro dhe kundër.

“Konstatoj se Kuvendi miratoi amendamentin. Ndryshimet Kushtetuese hyjnë në fuqi menjëherë pas miratimit të tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, theksoi Kryeparlamentari Kadri Veseli.

Më herët, Kryeministri Isa Mustafa kishte paralamëruar po të hënën mbledhje të qeverisë së Kosovës dhe pas saj seance të jashtëzakonshme të Kuvendit.

– Jahjaga: Gjykata nuk gjykon përpjekjet për liri –

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përshëndeti miratimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale si një përmbushje e detyrimeve ndërkombëtare të vendit.

Në një komunikatë për media ajo vlerëson se themelimi i Gjykatës Speciale, bazuar në kuadrin ligjor, dëshmon përkushtimin e Kosovës për parimin drejtësi për të gjithë.

Presidentja Jahjaga theksoi se Gjykata Speciale do të trajtojë akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës dhe nuk do të gjykojë përpjekjen kolektive për çlirim dhe liri.

– Diplomatët perëndimorë mirëpresin miratimin e Gjykatës speciale –

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, vlerësoi se miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për themelimin e Gjykatës Speciale “është hap jetik në ofrimin e kuadrit të domosdoshëm për adresimin e pretendimeve të rënda, që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës, si dhe zotimet e marra nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2014”.

Në një deklaratë të Mogherinit thuhet se “duke kuptuar që ky hap i deputetëve të Parlamentit të Kosovës nuk ishte i lehtë, ai është shenjë e përgjegjësisë dhe vendosmërisë për të nxjerrë të vërtetën dhe për të marrë vendime, që janë në harmoni me rrugën evropiane të Kosovës”.

BE-ja është e përkushtuar në ofrimin e ndihmës në këtë proces dhe për të vazhduar punën me palët e përfshira për të përfunduar procesin e krijimit të mekanizmave të nevojshme ligjore në mënyrë që të mund të mbahen procese gjyqësore të pavarura dhe të drejta në një të afërme.​

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, përgëzoi Kosovës për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, duke i cilësuar ato të rëndësishme për pozitën e saj ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit.

Në një deklaratë të përbashkët, Ambasada amerikane në Kosovë, zyra e Bashkimit Evropian dhe ambasadat e vendeve të BE-së mirëpritën miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Ky ishte një hap i rëndësishëm në rrugën euroatlantike të Kosovës. Me këtë vendim, qeveria e Kosovës dhe Parlamenti kanë demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit dhe për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Dhomat e specializuara janë instrument jetik për vendosjen e drejtësisë lidhur me pretendimet për krimet e supozuara gjatë konfliktit në Kosovë. Themelimi i tyre do të forcojë parimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe vendet tona do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës në këtë fushë. Duke u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe duke siguruar drejtësi për viktimat, Kosova mund të arrijë pajtimin dhe të ndërtojë të ardhme më të mirë”, thuhet në deklaratë.

Shekulli Agency

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *