Kosova e hap ambasadën në Kuds

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës ka njoftuar se është hapur ambasada e Kosovës në Izrael me seli në Kuds, transmeton (AA).

“Bazuar në Marrëveshjen e Washingtonit të 4 shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit dhe zotimit të Qeverisë së Kosovës ndaj qeverisë izraelite dhe Administratës amerikane dhe veprimet që janë ndërmarrë nga 1 shkurti, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se tashmë është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në shtetin e Izraelit, me seli në Kuds”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se gjatë ceremonisë së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më datën 1 shkurt 2021, ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabriel Ashkenazi bëri zbulimin e pllakës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kuds.

“Në pamundësi për të qenë prezentë në Kuds përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Kuds”, thuhet në njoftim.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Kosovës “Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Kuds”.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Kuds do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Shekulli Agency