“Konvoji Ndërkombëtar i Ndërgjegjes”: Liri për gratë në burgjet e Asadit

Një konvoj i përbërë ekskluzivisht nga gra do të niset nga Stambolli më 6 mars për ngritur sensibilizimin për vuajtjet e grave të burgosura në Siri nga forcat e regjimit të Bashar al-Asadit, raporton (AA).

Rreth 150 autobusë do të marrin pjesë në udhëtimin që do të ndalojë në Izmir, Sakarya, Ankara dhe Adana para se të arrijnë në provincën jugore Hatay në kufirin e Turqisë me Sirinë, ku më 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, do të mbahet një konferencë për media.

“Konvoji Ndërkombëtar i Ndërgjegjes për Gratë”, që ka përshkruar veten si “Zëri i grave të shtypura në Siri”, do të ketë pjesëmarrje nga 55 vende.

“Ne si gra nga Turqia dhe anembanë botës po i bashkohemi Konvojit të Ndërgjegjes për të ngritur zërin për gratë siriane, të cilat mbahen në mënyrë të paligjshme dhe torturohen në burgjet siriane.

Konvoji do të mbajë 6.536 copë shami të qëndisura, që paraqet një akt simbolik për të përfaqësuar secilën grua të burgosur siriane, është njoftuar përmes një deklarate.

Në një takim informues në Stamboll, avokatja Gülden Sönmez, zëvendëskryetare e Lëvizjes për të Drejta të Njeriut dhe Drejtësi (IHAK), tha se gjatë luftës në Siri kanë humbur jetën afër një milion njerëz, në mesin e të cilëve ka edhe gra dhe të moshuar.

Ajo theksoi se sipas të dhënave të tyre, rreth 15.000 fëmijë janë vrarë deri më tani në luftë, ndërsa 13.581 gra i janë nënshtruar torturës dhe trajtimit mizor në burgjet e regjimit sirian.

Sönmez vuri në dukje se posedojnë informacione se shumë gra që janë përdhunuar në këto burgje, më vonë, kur u është dhënë mundësia, kryejnë vetëvrasje.

Ajo theksoi se sulmet seksuale ndaj grave, torturat dhe burgosjet e paligjshme, sipas ligjit ndërkombëtar dhe të gjitha feteve përbëjnë krim lufte dhe krim kundër njerëzimit.

“Regjimi sirian përdor si armë përdhunimin në luftën që po vazhdon dhe për fat të keq askush nuk flet për këtë problem. Dëgjojmë britmat dhe thirrjet e grave në ato burgje. Tani shtatë vite po presim që dikush të bëjë diçka lidhur me këtë çështje. Presim që shtetet dhe organizatat me ndikim të bëjnë diçka. Ne duam të ngremë zërin për këtë çështje dhe më në fund të bëjmë diçka për këto gra”, tha Sönmez.

Ndërkohë, Mecit Çorbaci, i cili kishte qëndruar shtatë muaj në burgjet e regjimit dhe i cili ka humbur të shoqen në burg për shkak të torturave.

Ai theksoi se ishin arrestuar në Dera vetëm për shkak se kishin marrë pjesë në protesta paqësore.

“Ata e torturuan gruan time para syve të mi në mënyrë që unë të flisja. Qëndrova në qeli dhe më pas, isha me 20 të tjerë në një dhomë prej dy metrash katrorë. Midis nesh kishte njerëz të moshuar, gra shtatzëna dhe gra që sapo kishin lindur foshnje”, tha Çorbaci, duke shtuar se në ato burgje ka njerëz që gjenden për shtatë vite dhe torturohen çdo ditë.

Ndërkaq, avokatja siriane Dima Musa tha se në burgjet siriane ende mbahen rreth 7.500 gra.

“Gratë nuk kanë asnjë faj. Një pjesë e tyre mbahen vetëm pse kanë marrë pjesë në protesta paqësore ndërsa një pjesë si kërcënim ndaj bashkëshortëve dhe fëmijëve të tyre. Gratë rrahen, ngacmohen dhe përdhunohen. Kërkojmë lirimin e të gjitha grave dhe të burgosurve dhe gjykimin e fajtorëve”, tha Musa.

Ndryshe, konvoji mbështetet nga shumë organizata të shoqërisë civile, në mesin e të cilëve gjenden Fondacioni Humanitar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH), Shoqata e Grave dhe Demokracisë (KADEM), Fondacioni Turk i Çështjeve Fetare (Dijanet), Fondacioni Ensar dhe IHAK.

Shekulli Agency