Katalonjë, fillon greva e përgjithshme

Me ftesë të sindikatave dhe sektorit joqeveritar në Katalonjë, sot ka filluar greva e përgjithshme ku katalonjasit protestojnë kundër dhunës së tepruar të policisë gjatë referendumit të së dielës për pavarësinë e provincës spanjolle.

Greva mbahet dy ditë pas referendumit dhe u mbështet edhe nga Qeveria katalonjase.

Ky është një lloj reagimi nga sektori i punëtorëve pro-katalonjas dhe organizatat joqeveritare ndaj presionit të madh nga qeveria spanjolle dhe policia e cila në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese kundërshtoi fuqishëm mbajtjen e referendumit.

Greva filloi herët mëngjesin e sotëm, dhe iu bashkuan një numër i madh i shkollave, shërbimet e transportit, shëndetësisë dhe subjekte të tjera ekonomike.

Megjithëse sindikatat më të mëdha spanjolle UGT dhe CCOO nuk mbështetën drejtpërdrejt grevën në Katalonjë, udhëheqësit e këtyre unioneve u kërkuan punëdhënësve në këtë rajon të pezullonin punën në marrëveshje me punëtorët, në mënyrë që të mos shkaktojnë çrregullime shtesë.

Nga ana tjetër, sindikatat më të mëdha në Katalonjë, CGT dhe ANC janë vënë në krye të grevës duke e quajtur atë si bojkot kombëtar.

Trafiku dhe sektorët e tjerë në Katalonjë janë në kolaps dhe mijëra katalonjas u mblodhën në vende të ndryshme kundër qeverisë spanjolle e cila kundërshton referendumin.

Deri më tani nuk janë regjistruar incidentete në rrugë, kurse organizatorët e grevës u bënë thirrje katalonjasve për protesta paqësore dhe me dinjitet pa shkaktuar çrregullime.

Shekulli Agency