Japonia ripërsërit mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete, Palestinë të pavarur

Ministri japonez i Punëve të Jashtme, Toshimitsu Motegi, në një takim me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, ka ripërsëritur mbështetjen e vendit të tij për një shtet të pavarur të Palestinës.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Japonisë, ministri Motegi, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Palestinë, gjatë takimit me presidentin palestinez theksoi se mbështetja e Japonisë për një zgjidhje me dy shtetet mbetet e pandryshuar.

“Japonia mbështet të drejtën e vetëvendosjes së popullit palestinez, përfshirë shtet-ndërtimin e ardhshëm të pavarur të Palestinës”, tha ministria japoneze.

Motegi ndodhen në një turne rajonal deri më 24 gusht, që përfshin ndalesat në Turqi, Egjipti, Palestinë, Izrael, Iran, Jordani dhe Katar.

Në takimin me presidentin Abbas, ministri japonez tha se vendi i tij që nga viti 1993 ka ndarë mbi 2.1 miliardë dollarë për të ndihmuar Palestinën.

“Japonia do të vazhdojë të mbështesë Palestinën që përballet me konflikte të gjata dhe vështirësi në mes të pandemisë COVID-19”, shtoi Motegi.

Ai vlerësoi faktin se armëpushimi midis Palestinës dhe Izraelit kryesisht është mbajtur që nga muaji maj, duke shprehur “shpresë se palët e interesuara do të zbatojnë masa konkrete drejt zbutjes së tensionit dhe rikthimit të besimit nën udhëheqjen e presidentit Abbas”.

Abbas, nga ana e tij, shprehu mirënjohje për ndihmën e Japonisë për Palestinën dhe u zotua se “Palestina do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Japoninë në të gjitha aspektet”.

Ai po ashtu përçoi vendosmërinë e tij për të zgjidhur problemet me Izraelin përmes mjeteve paqësore.

“Të dy palët, ndër të tjera, po ashtu shkëmbyen pikëpamje mbi situatën në lidhje me Kinën dhe Afganistanin”, thuhet në njoftimin e ministrisë japoneze.

Shekulli Agency