Iran, një i vdekur në protestat kundër shtrenjtimit të derivateve

Një person ka humbur jetën gjatë protestave në Sirjan të Iranit, të organizuara për rritjen e çmimit të karburantit.

Mohamed Mahmoud Abadi, guvernatori i Sirjanit, deklaroi për agjencinë e lajmeve ISNA se protestat filluan në mënyrë paqësore natën e kaluar në qytet, por u përshkallëzuan pasi protestuesit u përpoqën të provokojnë trazira duke shkatërruar një pikë karburanti.

Mahmoud Abadi tha se protestuesit u përpoqën të arrijnë deri te depot më të rëndësishme të karburantit dhe t’u vënë zjarrin, por u ndaluan nga forcat e sigurisë.

“Fatkeqësisht, një person humbi jetën gjatë këtyre ngjarjeve. Disa u plagosën”, shtoi Mahmoud Abadi.

Analiza do të përcaktojë shkakun e vdekjes dhe hetimet do të tregojnë se si u shkaktuan dëmtimet.

“Asnjë nga pjestarët e forcave të sigurisë nuk ishte urdhëruar të qëllojë drejtpërdrejt, por ata u urdhëruan të qëllojnë në ajër për të mbrojtur depon e karburantit. Këtë dhe e bënë”, shpjegoi Mahmouhd Abadi.

Ai shtoi se në qytet është vendosur siguria pas ndërhyrjes së pjestarëve të forcave të sigurisë dhe u bëri thirrje qytetarëve të shmangin pjesëmarrjen në demonstrata të paligjshme.

Më parë, ndërmarrja iraniane e naftës njoftoi se qeveria e Iranit do të vazhdojë të japë subvencione mujore për 60 litra benzinë për automjet, por se litri i karburantit është shtrenjtuar nga 1.000 në 1.500 rialë (nga 0.09 në 0.13 dollarë).

Çdo litër më shumë nga kuota e subvencionuar mujore prej 60 litrash iranianët do të paguajnë 3.000 rialë (0.26 dollarë).

Protestat më masive janë zhvilluar prej disa ditësh në Ahvaz, Khorramshahr, Birjand, Mashhad, Gecsaran, Sirjan, Bandar Abbas, Isfahan dhe Shiraz.

Shekulli Agency