Iraku kërkon formimin e një mekanizmi për tërheqjen e ushtarëve amerikanë

Iraku ka kërkuar nga administrata e Washingtonit formimin e një mekanizmi për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga vendi.

Sipas një deklarate me shkrim nga kryeministria e Irakut bëhet e ditur se kryeministri irakian Adil Abdul Mahdi ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Në bisedë Abdul Mahdi, në kuadër të vendimit të marrë nga Parlamenti për zbatimin e largimit të ushtarëve amerikanë nga Iraku ka kërkuar nga Pompeo dërgimin e një delegacioni nga SHBA-ja në Irak dhe formimin e një mekanizmi për tërheqjen e ushtarëve.

Mahdi gjithashtu i transmetoi palës përballë se ushtarët amerikanë dhe mjetet ajrore pa pilot (dronët) kanë hyrë pa leje në hapësirën ajrore të Irakut dhe se kjo është në kundërshtim me marrëveshjet mes dy vendeve.

Ndërsa sekretari Pompeo ka thënë se do ta ndjekë këtë çështje dhe se e respektojnë sovranitetin e Irakut.

Kryeministri irakian Mahdi ka thënë se në të njëjtën kohë kundërshtojnë edhe sulmet e Iranit me objektiv bazat amerikane Ayn Al-Asad dhe ato në Erbil dhe se po përpiqen që vendi i tyre të mos kthehet në një fushë beteje.

“Iraku i kushton rëndësi të madhe ruajtjes së marrëdhënieve me vendet fqinje dhe komunitetin ndërkombëtar si dhe mbrojtjen e përfaqësive të misioneve të huaja. Lufta kundër terrorizmit të DEASH-it, rindërtimi i vendit, zhvillimi ekonomik, mbrojtja e pavarësisë dhe sovranitetit janë ndër prioritetet tona”, tha Mahdi në bisedën e tij telefonike.

Shekulli Agency