Evakuohet një shtetase e Maqedonisë së Veriut nga qyteti kinez Wuhan

Ministria e Punëve të Jashtme informon se një shtetase e Maqedonisë së Veriut është evakuuar me sukses nga qyteti Wuhan i Kinës.

Evakuimi i saj është bërë me ndërmjetësimin e Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Pekin dhe Paris. Gjendja e saj shëndetësore është e mirë dhe nuk ka kurrfarë simptomash të koronavirusit. 

Shtetasja e Maqedonisë së Veriut së bashku me shumë tjerë të evakuuar fillimisht do të vendoset në një qytet më të vogël në jug të Francës, ku do t’i nënshtrohet një karantine të detyrueshme 14-ditore.

Nga MPJ thonë se janë në komunikim të vazhdueshëm me udhëtaren e evakuuar.

Kujtojmë se nga epidemia e koronavirusit deri më tani kanë vdekur 305 persona nga të cilët 304 në Kinë dhe 1 në Filipine.

Shekulli Agency