Erdogan pritet me ceremoni zyrtare nga homologu hungarez

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Hungari, u prit me ceremoni zyrtare nga homologu i tij hungarez, Janos Ader, raporton Anadolu (AA).

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Emine Erdoğan, presidenti turk u prit nga homologu Ader dhe bashkëshortja e tij, Anita Herczegh, në pallatin presidencial në Budapest.

Pas intonimit të himneve të dy vendeve, Erdoğan dhe Ader përshëndetën gardën e nderit dhe prezantuan delegacionet e tyre.

Takimi kokë më kokë mes dy liderëve do të pasohet nga një takim mes delegacioneve.

Ndryshe, Erdoğan po qëndron në vizitë zyrtare dyditore në Hungari me ftesë të homologut të tij Ader.

Sipas presidencës turke, Erdoğan po ashtu do të takohet me kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, Laszlo Kover, dhe kryeministrin Viktor Orban.

Zyrtarët do të diskutojnë mbi marrëdhëniet dypalëshe, marrëdhëniet Turqi-BE, migracionin e parregullt dhe luftën kundër terrorizmit. Ata po ashtu do të shkëmbejnë mendime mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Presidenti Erdoğan po ashtu pritet që zyrtarisht të inaugurojë Varrin e Gul Babës në Budapest, të marrë pjesë në një forum biznesi me kryeministrin Orban si dhe të realizojë një vizitë në Varrezat Përkujtimore të Budapestit.

Ankaraja dhe Budapesti gëzojnë marrëdhënie miqësore të bazuara në lidhjet historike dhe kulturore, aleancën e NATO-s, bashkëpunimin e ngushtë brenda organizatave ndërkombëtare, veçanërisht në BE dhe Këshillin Evropian, përfshirë mbështetjen e Hungarisë për anëtarësimin e Turqisë në BE.

Shekulli Agency