Erdogan: Avioni luftarak kombëtar, përgjigjja më e mirë e Turqisë për F-35

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se zhvillimi i avionit luftarak kombëtar nga Turqia është përgjigjja më e mirë për ata që kërcënojnë përfshirjen e Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35.

“Shpresoj se avioni ynë luftarak, i cili do të jetë vendas në çdo fazë të projektimit dhe prodhimit, do të dalë nga hangari në vitin 2023”, tha presidenti Erdoğan në ceremoninë e inaugurimit të Impiantit për Kategorizimin dhe Pastrimin e Municioneve në provincën qendrore Kırıkkale.

Blerja e sistemit rus S-400 për mbrojtje raketore nga ana e Turqisë bëri që SHBA të largojë Turqinë nga programi F-35 në muajin korrik. SHBA pretendoi se sistemi mund të përdoret nga Rusia që në mënyrë të fshehtë të marrë detaje të klasifikuara për avionin dhe se ai nuk është në përputhshmëri me sistemet e NATO-s.

Megjithatë, Turqia thotë se sistemi S-400 nuk do të integrohej në sistemet e NATO-s dhe nuk do të përbënte një kërcënim për aleancën.

Duke theksuar rëndësinë e sistemeve të mburojës ajrore, Erdoğan tha se situatat me të cilat përballet Turqia në Libi dhe Siri dëshmojnë se më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet mbrojtjes raketore.

Duke përsëritur përpjekjet e Turqisë për të zhvilluar industrinë e saj të mbrojtjes, Erdoğan tha se duke vendosur sistemin e mbrojtjes raketore Hisar-A përgjatë kufirit sirian, Turqia synon të mbushë një hendek.

Shekulli Agency