Drejtuesit e bashkësive islame në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, mesazhe urimi për Kurban Bajramin

333-4567788-689446e2

Drejtuesit e Bashkësive Islame në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, kanë përcjellë sot mesazhet e tyre të urimit me rastin e festës së Kurban Bajramit.

 

Drejtuesit e Bashkësive Islame në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, kanë përcjellë sot mesazhet e tyre të urimit me rastin e festës së Kurban Bajramit.

-Myftiu Tërnava në mesazhin e urimit për Kurban Bajramin fton për unitet-

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim ef.Tërnava përmes mesazhit tradicional iu ka uruar Festën e Kurban Bajramit, të gjithë besimtarëve të fesë islame, brenda dhe jashtë vendit.

“Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj, dhe në emrin tim, në cilësinë e Myftiut të Kosovës, iu uroj Festën e Kurban Bajramit, duke e lutur Allahun xh.sh. për mirëqenie, lumturi dhe shëndet” tha në fillim, myftiu Tërnava.

Ai kujtoi vlerën e ditës së sotme, ku numri i madh i besimtarëve nga trojet etnike shqiptare u janë bashkuar lutjeve, të miliona hanxhinjve nga mbarë bota, në Rrafshnaltën e Arafatit,  për mëshirë dhe falje.

“Thërras të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të jenë më human dhe më solidar, më mëshirues e bujar, që të ndihmohen të varfrit, jetimët dhe të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën tonë, që sofra e tyre, qoftë edhe vetëm gjatë këtyre ditëve të festës të jetë më e begatë” porositi Tërnava duke iu referuar ajetit kuranor, En-nisa 122, i cili thotë “ E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne do t’i fusim në xhenet, ku rrjedhin lumenjtë e ku do të jenë përgjithmonë”.

Ai kujtoi se, vlerat e kësaj feste mbështeten në haxhillëk dhe prerje të Kurbanit, të cilat janë udhëzime hyjnore.

Duke u mbështetur në ajetin e Kur’anit, El-Enfal 46, ku thuhet “…mos u përçani ndërmjet vete, se do të dobësoheni e humbni fuqinë tuaj…” Myftiu Tërnava iu bëri thirrje besimtarëve dhe qytetarëve të Kosovës, që t’i shmangen urrejtjes e xhelozisë, egoizmit e pangopësisë që të mos ketë divergjenca e interesa parciale por, të bashkojmë forcën e besimit me atë intelektuale, për të ecur përpara të sigurtë që njëherësh është edhe porosia e Kurban Bajramit.

Më herët, BIK-u ka njoftuar se është krijuar një komision i veçantë i caktuar nga Bashkësia Islame e Kosovës për grumbullimin e kurbaneve dhe therjen e tyre, në çdo komunë, në thertoret e licencuara sipas standardeve të caktuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka njoftuar besimtarët dhe opinion e gjerë se, manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban – Bajramit, do të mbahet në xhaminë Sulltan Mehmet Fatih (Xhaminë e Madhe), në Prishtinë.

Manifestimi fillon në ora 5:45, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit kryeimami i BIK-ut, Sabri ef. Bajgora do të mbajë ligjëratë tematike kushtuar kësaj feste.

Namazi i Kurban Bajramit falet në ora 7:01 dhe atij do t’i prijë Resul ef. Rexhepi, ndërsa Hytben apo mesazhin festiv do ta mbaj, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Ditën e parë, sipas traditës, nga ora 09:00 deri në 12:00, Kryesia e BIK-ut organizon pritje përurimi në selinë e saj në Prishtinë, ku mysafirët e shumtë, liderë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe lider të partive politike, vijnë për t’ju uruar festën.

– Kryetari i BFIM-së, Sulejman Rexhepi uron besimtarët për Kurban Bajramin-

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, me rastin e festës së Kurban Bajramit uroi gjithë besimtarëve muslimanë në Maqedoni për këtë festë të madhe islame,  duke u dëshiruar harmoni, humanizëm dhe respekt të ndërsjellë.

Në mesazhin e tij, kreu i BFI-së tha se kjo festë është sublimim ndjenjash të mëshirës dhe dashurisë.

“Falënderimet i takojnë Allahut të Gjithëpushtetshëm i cili na mundësoi që ta presim edhe këtë bajram, festë kjo që është përplot me mëshirë, dashuri, humanizëm dhe respekt njerëzor. Ky sublimim ndjenjash të bukura manifestohet përmes prerjes së kurbanit nga ata që kanë mundësi dhe përmes shpërndarjes për ata që janë në nevojë, kështu u veprua që nga koha e Ibrahimit a.s, duke u dëshmuar përkushtimi, devotshmëria dhe besimi i paluhatshëm i besimtarit musliman, u shpreh kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi, duke shtuar se “përmes aktit të sakrificës, konkretisht prerjes së kurbanit do të bëni që festën e Kurban Bajramit ta gëzojnë edhe jetimët, të varfrit dhe njerëzit në nevojë. Urojani njëri-tjetrit këtë festë duke e zgjatur dorën, duke e hapur zemrën dhe përqafuar sepse vetëm kështu i shtohet kuptimi kësaj feste të shenjtë”.

Ai më tej tha se përmes therjes së kurbanit besimtari musliman madhëron Zotin për të qenë kështu në rrugë të drejtë, për të qenë i mëshirshëm, të dashur dhe bujar.

Ai në fund u dëshiroi haxhinjve pranimin e gjitha lutjeve dhe riteve që i kryejnë në vendet e shenjta, ndërsa siç u shpreh “lutjet e tyre le të bëhen dritë për mbarë popullin muslimanë gjithandej botës”.

-Mesazh urimi nga nënkryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu-

Nënkryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë (KMSH),  Bujar Spahiu, ka uruar të gjithë besimtarët muslimanë për Kurban Bajramin, duke iu uruar paqe, lumturi dhe gëzim në familjet e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

“Nesër është Kurban Bajrami, festa që simbolizon, sakrificën sublime të njeriut të përsosur, dhe shënjon kulmin e bindjes, besnikërisë dhe  dashurisë ndaj Allahut të plotfuqishëm. Kuptimi i kurbanit dhe sakrificës në Islam, nuk qëndron në derdhjen e gjakut të një kafshe, por në aktin e bindjes. I Plotfuqishmi thotë: ‘Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin bindja juaj…’”-thuhet ndër të tjera në urimin e nënkryetarit të KMSH-së.

Në urimin e tij ai shprehet se në këtë festë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit, ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore, me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare.

KMHS ka njoftuar se Bajrami do të falet në orën  07:10 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ndërsa gjatë orëve të ditës selinë e Komunitetit Musliman të Shqipërisë do ta vizitojë personalitete të ndryshme.(AA)

Shekulli Agency