Vuçiç në Kosovë: Serbia do të luftojë politikisht për të mos humbur Trepçën

Vuçiç ka hyrë në Kosovë përmes hyrjes kufitare në Jarinje, ndërsa ndalesa e parë e tij ishte miniera e Trepçës në Leposavic, ku para hyrjes në repartin e flotacionit e kanë pritur rreth 1 mijë qytetarë dhe minatorë

vucic-5644Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sot herët në mëngjes ka mbërritur në Kosovë për të vizituar pjesën veriore të vendit.

Vuçiç ka hyrë në Kosovë përmes hyrjes kufitare në Jarinje, ndërsa ndalesa e parë e tij ishte miniera e Trepçës në Leposaviç, ku para hyrjes në repartin e flotacionit e kanë pritur rreth 1 mijë qytetarë dhe minatorë.

Pas vizitës së bërë Flotacionit, Vuçiç ka deklaruar se Trepça është “skeleti” i mbijetesës së popullit serb në veri të Kosovës dhe i ka falënderuar banorët lokal që përherë e kanë mbrojtur Trepçën, duke shtuar se “ata (serbët) janë në vendin e tyre”.

Kryeministri serb me këtë rast ka porositur se Serbia do të luftojë politikisht që mos ta humbas Trepçën. “Për Trepçën kemi tentuar të flasim në Bruksel, por kjo është refuzuar. I frikçsohemi tentimit të Prishtinës për ta miratuar Ligjin për Trepçën, sipas të cilit ky kombinat do të bëhej pronë e Kosovës“ tha Vuçiç, duke premtuar se Qeveria e Serbisë do të investojë në Trepçë, sikurse në të gjitha kompanitë tjera të Serbisë.

Gjatë adresimit para banorëve të Leposaviçit, ai ka theksuar se: “Beogradi kurrë nuk do ta braktisë popullin e vet në Kosovë” dhe se sipas tij, “ata gjithmonë do të jenë pjesë e shtetit të Serbisë”.

Vizitën e Vuçiçit në Kosovë gjatë gjithë kohës është duke e siguruar Policia e Kosovës, ndërsa duhet theksuar se në prag të vizitës së tij, në orët e hershme të ditës së sotme, në Zubin Potok është hedhur një granatë dore dhe janë dëgjuar të shtëna me armë automatike, siç kishte konfirmuar për AA, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Mitrovicë, Besim Hoti.

Shpërthimi dhe të shtënat me armë kanë ndodhur pranë Plestrës së Sporteve ku Vuçiç sot është dashur të mbajë fjalimin.

“Ata që kanë hedhur bomba dhe kanë shtënë nga kallashnikovët, duke tentuar që të më frikësojnë, këtë nuk ia kanë arritur sepse ne jemi të fortë dhe prandaj është me rëndësi që Serbia të jetë shtet i fortë i cili mund të mbrojë ‘unin’ e vet” ka thënë Vuçiç.

Vizita e kryeministrit serb dhe liderit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kosovë po vjen në kohën e fushatës paraelektorale të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të caktuara për 24 prill.

Para vizitës së Vuçiçit në Leposaviq, qyteza ishte dekoruar me flamuj të Serbisë dhe billborde ku shkruante “Kryeministër i Qeverisë, mirëserdhe në Kosmetin serb”.

Pas Leposaviqit, Vuçiç do të vizitoj manastirin e Banjskës ku do të takohet me episkopin e Rashkës dhe të Prizrenit, Teodosije, si dhe me igumenin e këtij manastiri, Danilon. Më pas, vizitën do ta vazhdojë në pjesën veriore të Mitrovicës, ku do të vizitoj Qendrën spitalore.

Përkundër faktit se nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë nuk është publikuar axhenda e vizitës, jo zyrtarisht mësohet se, nga Mitrovica, kryeministri serb do të shkoj në Zubin Potok dhe do të vizitojë liqenin e Ujmanit (Gazivodës).

Gjatë kësaj vizite, kryeministri serb Vuçiç është i shoqëruar nga ministrat e Qeverisë serbe, Aleksandar Vulin dhe Vanja Udoviçiç, shefi i Zyrës për Kosovën Marko Gjuriç, si dhe ministrat serb në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariç dhe Dalibor Jeftiç.

/AA/

Shekulli Agency