Vuçiç inauguron Qendrën Klinike-Spitalore në Mitrovicë, premton ndihmën e Serbisë

“Situata e jonë nuk është e lehtë, por sa më shumë që të fuqizohemi ekonomikisht, aq më tepër do të kemi mundës t’iu ndihmojmë” ka deklaruar kryeministri serb Vuçiç gjatë vizitës së tij në pjesën veriore të Kosovës

vucic-65444Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të vizitës së tij njëditore në pjesën veriore të Kosovës, sot ka bërë hapjen zyrtare të Repartit Onkologjik të Qendrës Klinike Spitalore në pjesën veriore të Mitrovicës. Reparti është pajisur me “Multi-slide skanerin” më bashkëkohorë dhe me këtë rast, kreu i Qeverisë serbe ka deklaruar se në këtë projekt janë investuar 640 mijë euro, ku ka shtuar se bëhet fjalë për një nga institucionet me rëndësi vitale për qytetarët e Kosovës.

Reparti Onkologjik është pjesë e institucionit që deri sot është quajtur Qendra Spitalore e Mitrovicës, kurse nga dita e sotme është riemëruar në Qendrën Klinike Spitalore.

Vuçiç ka theksuar se, fatmirësisht Qeveria e Serbisë ka arritur të realizojë këtë projekt, duke premtuar se edhe më tutje do të investohet në Kosovë për të përmirësuar standardin serbëve të Kosovës. “Situata jonë nuk është e lehtë, por sa më shumë që të fuqizohemi ekonomikisht, aq më tepër do të kemi mundës t’iu ndihmojmë” ka thënë kryeministri serb.

Serbëve të Mitrovicës ai iu ka porositur se, ata janë mbrojtësit e atdheut dhe se Serbia krenohet me ta.

Gjatë vizitës së tij në Mitrovicë, Vuçiç ka ripërsëritur fjalët e thëna në Leposaviq, lidhur me incidentin që ka ndodhur sot herët në mëngjes, në Zubin Potok, që është hedhur një granatë dore në parkingun para Palestrsë së Sporteve, ku ai duhet të mbajë tubimin dhe fjalimin e tij, rreth orës 15:00.

“Mendoj se është marrëzi të hidhni bomba në kryeministrin serb, kurse nga ana tjetër të thoni se ky është shtetit i Serbisë” deklaroi Vuçiç dhe shtoi se ky incident nuk e ka frikësuar aspak dhe se vizita e tij do të vazhdojë ashtu si është planifikuar.

Në prag të vizitës së kryeministrit serb në veri të Kosovës, sot herët në mëngjes rreth orës 03:00, në parkingun e Palestrës së Sportit në Zubin Potok, ka ndodhur një shpërthim, ku është dëmtuar një veturë civile dhe nuk pati viktima apo njerëz të lënduar.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hotit, në deklaratën e tij për AA u shpreh se: “Mjeti shpërthyes dyshohet të ketë qenë granatë dore, ndërsa ky shpërthim ka qenë i përcjellë edhe me të shtëna armësh, për të cilat supozohet të kenë qenë armë automatike”.

Vizita zyrtare e kryeministrit serb dhe njëherësh liderit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Aleksandar Vuçiçit do të përfundojë me vizitë dhe fjalim para qytetarëve të Zubin Potokut.

Shekulli Agency