Turqi, gjykata vendos arrest me burg për bashkëkryetarët e HDP-së

Demirtas dhe Yüksekdag janë akuzuar për “nxitje për të kryer një krim” dhe “nxitje të popullit për kryengritje”

dem-yuk-7666Për bashkëryetarët e Partisë HDP, Selahattin Demirtaş dhe Figen Yüksekdağ, të cilët u ndaluan në kuadër të hetimeve për terrorizëm pas procedurave në prokurori, gjykata ka dhënë ndaj tyre masën e arrestit me burg.

Demirtaş dhe Yüksekdağ janë akuzuar për “nxitje për të kryer një krim” dhe “nxitje të popullit për kryengritje”, pasi në deklaratat e tyre të bërë ndaj qytetarëve i kanë ftuar të marrin pjesë në veprimet nëpër rrugë kryesisht në ngjarjet e 6-8 tetorit 2014.

Në dosjen hetimore ndaj Demirtaş i cili është një prej anëtarëve të HDP-së që ka më shumë dosje, përfshihen akuzat “Formim të organizatës me qëllim kryerjen e krimit”, “anëtarësim në organizatë terroriste”, “anëtarësim në organizatë terroriste të armatosur” dhe “kryerje të krimit në emër të organizatës”.

Demirtaş gjithashtu akuzohet edhe për shkak të thirrjes së bërë “dilni në rrugë” ku vijuan ngjarjet e përjetuara me 6-8 tetor 2014, ku si pasojë e akteve të kryera nga mbështetësit e organizatës terroriste PKK/PYD humbën jetën 31 persona, duke përfshirë 2 policë dëshmorë dhe fëmijën Yasin Börü bashkë me 3 shokët e tij. Nga ngjarjet u plagosën 221 qytetarë dhe 139 policë.

Në sulmet e mbështetësve të organizatës terroriste me 6-8 tetor 2014 u dëmtuan edhe një numër i madh shkollash, qendrash kulturore, muze dhe ndërtesa të konvikteve.

Ndërsa bashkëkryetarja e Partisë HDP, Figen Yüksekdağ pas takimeve më 19 korrik 2015 në Kobani, mbërriti në rajonin Suruç në qytetin Şanlıurfa të Turqisë dhe në një program kishte deklaruar se “Ne mbështetemi tek YPJ, YPG dhe PYD. Nuk vërejmë ndonjë arsye që mos ta shprehim dhe mbrojmë këtë”.

Më pas prokuroria e qytetit Şanlıurfa nisi një hetim kundër Yüksekdağ me akuzën për “kryerje të propagandës së organizatës terroriste”. Ndaj Yüksekdağ janë nisur edhe disa hetime të tjera me akuza të ndryshme si “kryerje të propagandës së organizatës terroriste dhe anëtarësim në organizatë terroriste të armatosur”, “nxitje e publikut për të kryer një krim”, “dëmtim të unitetit dhe integritetit territorial të shtetit”.

Shekulli Agency