Tahiri reagon pas raportimeve të medieve të huaja për trafikimin e armëve

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë ka theksuar se procedimet e kryera për trafikimin e armëve dhe lëndëve narkotike nuk lidhen me çështjet e terrorizmit.

saimir-tahiriMinistri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri ka reaguar sot pas raportimeve të disa medieve të huaja se nga Shqipëria janë trafikuar armë për DAESH-in. Ai ka theksuar se procedimet e kryera për trafikimin e armëve dhe lëndëve narkotike nuk lidhen me çështjet e terrorizmit.

“Shqipëria ka pasur një numër procedimesh lidhur me çështjet e armëve dhe po ashtu me kultivimin e lëndëve narkotike. Por asnjëra nga këto nuk lidhet me çështjet e terrorizmit. Jo çdo abuzim, që lexoni shpeshherë nga gazetarë anonimë apo që vijnë këtu me referenca të gabuara vendase, shërben për të ndërtuar këtë lloj paniku”- u shpreh Tahiri në një prononcim për mediat pas takimit për analizën vjetore në Policinë e Tiranës.

Gjithashtu ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri iu ka dërguar letër dy redaksive të huaja, konkretisht në Itali dhe Britani.

“Jam i bindur që nuk jam i vetmi shqiptar që ndihet keq nga të pavërtetat që u pasqyruan, siç besoj se çdo italian apo qytetar i çdo vendi të botës që ka pasur mundësinë të njohë sadopak Shqipërinë, është ndier keq nga pasqyrimi thellësisht i shtrembëruar i realitetit shqiptar në reportazhin tuaj. Shqipëria ka një popullsi me shumicë muslimane, por është verbëri të mjaftohesh me kaq për të imagjinuar rrezik terrorizmi në vendin tonë”, shkruan ministri.

Ministri thekson se shqiptarët krenohen me vlerat e çmuara të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, një shembull unik që veç krenarisë, që sipas tij, ka rrënjosur tek çdo qytetar shqiptar vullnetin për të mos pranuar frikën dhe kërcënimin e terrorit, por kurajon e forcën për të ndërtuar bashkëpunimin me çdo shoqëri të lirë që luftën kundër terrorizmit.

Shekulli Agency